Shqiptarët injorojnë formalitetet e shtetit të ri
Simbolet e reja të shtetit të Kosovës mbetën një hollësi e parëndësishme e protokollit të pavarësisë që dje u thye para kohe në Prishtinë. Mijëra qytetarë që vërshuan rrugëve qysh dje mbasdite, mijëra ballkone shtëpish dhe dyqanesh të zbukuruara me flamurin shqiptar dhe një dizajn i tërë kuq e zi i Kosovës, e anashkaluan këtë formalitet të identitetit shtetëror të Kosovës. Në një ditë euforike si kjo e ke shumë të vështirë të ndash rëndësinë që ka formaliteti i simboleve të reja shtetërore nga identiteti kombëtar i shqiptarëve.
I pari që ka tentuar të dizenjojë simbolet e shtetit të ri të Kosovës ishte Ibrahim Rugova, duke huazuar atë që quhej stema e vjetër e Dardanisë. Tri vite më parë, më 28 nëntor 2005, luftëtarët e zemëruar të UÇK-së e shqyen atë nga rrugët dhe e dogjën publikisht. Ibrahim Rugova nuk u mërzit dhe me stilin e tij formal vazhdoi të vizatojë stemën e presidentit dhe disa simbole të tjera të Kosovës. Pas ikjes së Rugovës beteja për simbole vazhdoi. Bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës dhe grupi i unitetit i bënë disa herë temë të tyre simbolet e shtetit të ri të Kosovës. U riseleksionuan dizenjot e tyre, u koncentruan te pesë, te tri, te dy dhe së fundmi u tha se u ra dakord për një. Qytetarët, normal pritën ta shikonin atë, por askush nuk ua tregoi. I përshkruajnë fushën, yjet, hartën, por nuk shpaloset. Prej Kaçanikut, sapo hyn në Kosovë e deri në çdo dyqan të Prishtinës ka vetëm një flamur: flamuri kuq e zi i Shqipërisë.
Veton Surroi, përfaqësuesi i moderuar i shqiptarëve të Kosovës, thotë se, dekori kuq e zi mund të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të shqiptarëve më 17 shkurt. Vizioni kuq e zi i Prishtinës, i fokusuar në kamerat e “CNN” mund të ringjallë frikërat për lindjen e një shteti të dytë shqiptar në krah të Shqipërisë, duke e bërë të pabesueshëm identitetin e ri të shtetit të Kosovës. Por, për këtë, përveç Surroit ka pak shqetësim. Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu, dy politikanët që do të kenë fatin të shpallin pavarësinë, nuk shikojnë ndonjë problem te mungesa e simboleve të reja në rrugë. Sipas tyre, simbolet duhet të lindin bashkë me shtetin e ri dhe s’ka shumë nevojë për marketing. Shtypshkronja që ka prodhuar 1000 flamujt e Kosovës, po ashtu është urdhëruar të mos i nxjerrë ato në shesh para orës 12.00 të datës 17 shkurt. Duket se ka një embargo kundër flamurit të ri dhe simboleve të reja të shtetit të Kosovës.
Protokolli i ditës së pavarësisë është parashikuar i qetë, por realisht ai është prishur një ditë më parë dhe as ka ndërmend të respektohet. Flamujt kuq e zi, flamujt amerikanë dhe ata të BE-së, falenderimet për Rugovën, Adem Jasharin dhe NATO-n dhe emocionet kombëtare shqiptare kanë mbërthyer Prishtinën.
Ka dhjetëra thirrje për maturi dhe qetësi. Ka një kujdes të jashtëzakonshëm për të mos qenë provokativ. Ka një kontroll thuajse ideologjik kundër këngëve dhe gjesteve me karakter nacionalist. Ka një qarkore të shefit të UNMIK-ut, Ryker, që ndalon nëpunësit e vet të marrin pjesë në festime, pasi misioni konsiderohet pjesë e OKB-së dhe duhet të ruajë pozicionin neutral. Ka dhjetëra porosi pa fund për grimca të tilla. Këtë protokoll dhe këto porosi t’i thonë të gjithë në kafe, në rrugë në hotel, në Mitrovicë dhe Gjilan. Për një moment të krijohet ideja se gjërat po shkojnë si duhet dhe festa do të mbahet nën kontroll, por e gjitha kjo është një iluzion.
Kosova ka shpërthyer. Ajo dëshmon me sinqeritet identitetin e saj kombëtar dhe ka pak vend për diplomaci. Deri tani, përveç porosive protokollare, shenjat e identitetit të shtetit të ri të Kosovës e ke vështirë t’i hetosh. Flamuri i ri, stema e re, simbolet e reja shtetërore në përgjithësi janë të papërfshira në menunë e festës së pavarësisë. Ka plot nëpunës të kujdesshëm që më thonë se do të shfaqen sot në mesditë, por dyshoj shumë se dikush do t’i shikojë. Një poster bardh e zi i Adem Jasharit është ngjitur mureve të Prishtinës me zhargonin e Prishtinës “Bacë, u kry!”. Pavarësia këtu po përjetohet ashtu siç ka ardhur, si një meritë e politikës shqiptare, UÇK-së dhe NATO-s. Është e vetmja luftë që ka mobilizuar NATO-n në emër të të drejtave të njeriut. Është i vetmi identitet shtetëror i formuar në emër të luftës kundër një nacionalizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Kjo luftë solli sot shtetin e ri të Kosovës, i cili po mëdyshet deri në sekondat e fundit për të gjetur flamurin e tij dhe simbolet e reja shtetërore si një përpjekje për të fromuar një identitet të ri, një identitet që të mos i frikësojë të tjerët dhe t’i respektojë ata si të barabartë. Po mëdyshen, bile gati-gati po përtojnë me dëshirë. Në mënyrë të sinqertë, duket se e kanë të gjithë më të lehtë “kuq e zi”, megjithëse rruga më e lehtë nuk është rruga më e mirë.
Prishtine, 16 shkurt