E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i energjisë, rritja vetëm për çdo konsum mbi 300 kilovat

Nga Ergys Mertiri

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur së fundmi aplikimin e skemës së re të tarifave të energjisë, sipas së cilës, do të ketë një rritje të tarifës vetëm për energjinë e shpenzuar mbi sasinë prej 300 kilovatësh në muaj. ERE bëri të ditur dje se Bordi i Komisionerëve të këtij enti ka miratuar çmimet e reja të shitjes së energjisë me pakicë. Në këtë mënyrë, për të mbështetur konsumatorët me të ardhura të pakta, ERE ka vendosur ta lërë të pandryshuar çmimin e energjisë për një konsum nën 300 kilovat në muaj, ndërkohë që, çmimi i saj për sasitë e konsumuara mbi këtë prag do të rritet me rreth 5 lekë për kilovat. Në këtë mënyrë, çdo konsumator familjar në Shqipëri do të paguajë me 7 lekë 300 kilovatët e parë të shpenzuar të energjisë elektrike, ndërkohë që energjinë e shpenzuar mbi këtë nivel do ta paguajë me 12 lekë për kilovat.


Pragu 300 kilovat, i mjaftueshëm për të mbrojtur familjarët


Sipas ERE-s, ky vendim është vendimi më i mirë, për të bërë të mundur që nga njëra anë të mbulojë nevojat financiare të KESH-it, i cili e blen energjinë me një çmim më të shtrenjtë dhe nga ana tjetër, kjo mënyrë tarifimi krijon mundësitë të mbrojë konsumatorët të cilët nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimit. Gjithashtu, sipas ERE-s, kjo mënyrë tarifimi dhe këto çmime do të mund të sjellin edhe krusimin e energjisë nga konsumatorët, në mënyrë që të ruhet niveli prej 300 kilovatësh për të mos paguar energji me çmim më të shtrenjtë. Sipas të dhënave të KESH-it, ka një rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë, e cila rritet me një mesatare ditore prej rreth 25-30 kilovatësh çdo vit. Pikërisht rritje të tilla janë vështirësisht të përballueshme nga sistemi energjitik shqiptar, i cili nuk është i përgatitur për të përballuar sasira të tilla të konsumit të energjisë. Një rritje e tillë e konsumit u vu re edhe në krizën e sivjetshme, ku rritja e ndjeshme e përdorimit të kondicionerëve e bëri konsumin që në ditët e verës të jetë i përafërt me konsumin e ditëve të ftohta të dimrit. Pas studimeve dhe analizave analitike të konsumit të energjisë elektrike nga popullata, si dhe duke marrë në konsideratë humbjet e energjisë, ERE ka arritur në përfundimin se konsumi mesatar mujor për familje normale, me 4 persona, është deri në 300 kWh, duke përjashtuar ngrohjen. Kjo sasi është vlerësuar si blloku i parë dhe çmimi do të jetë i pandryshuar, pra me 7 lekë/kWh. Konsumi mujor deri në 300 kWh arrihet nga 76 për qind e familjeve në vend.

ERE: Vendimi i domosdoshëm


Rritja e çmimit të energjisë u bë sipas tarifave të propozuara nga KESH-i që disa muaj më parë. Enti Rregullator i Energjisë, e shtyu marrjen e vendimit, i cili duhet të ishte marrë që në muajin dhjetor, për arsye të kalimit të stinës së dimrit, gjatë së cilës konsumi është më i madh, në mënyrë që rritja e çmimit të mos rëndojë në mënyrë të menjëhershme mbi konsumatorët. Sipas entit, kushtet aktuale, kur importet e energjisë elektrike gjatë vitit 2007, për shkak të kushteve hidrologjike jashtëzakonisht të vështira, arritën një rekord historik dhe ku shpenzimet për blerje energjie kapën shifrën e 193 milionë eurove, e bënë të pashmangshëm rritjen e çmimit të energjisë elektrike. ERE shprehet se me këtë vendim ka synuar që të vendosë ekuilibrat më të arsyeshëm, si dhe të reflektojë zgjidhjet më optimale, me qëllim që çmimet dhe tarifat e reja për vitin 2008 të jenë të përballueshme nga të gjitha kategoritë e konsumatorëve.


Arsyet e rritjes së tarifave


Rritja e tarifave të energjisë u bë pas rritjes së çmimit të blerjes së saj në tregun ndërkobëtar, si dhe për shkak të rritjes së sasive të nevojshme për import. Sipas KESH-it, rritja e çmimit të energjisë do të mund të jetë rruga e vetme drejt garantimit të furnizimit të saj për 24 orë. Çmimi i deritanishëm i energjisë nuk mbulon koston e saj dhe është tepër i ulët, duke llogaritur këtu edhe koston operative të korporatës, ku futet importi, mirëmbajtja, personeli, interesat e kredive të marra nga importi. Sipas korporatës energjitike, çmimi me të cilin energjia shitet aktualisht ndaj konsumatorëve familjarë është rreth 20 për qind më pak sesa çmimi mesatar i energjisë në tregun rajonal. E gjithë kjo rezulton një humbje e ndjeshme për korporatën, e cila bëhet edhe më e madhe duke llogaritur shpenzimet operative, humbjet në rrjet etj. Çmimi i energjisë në tregun rajonal është mesatarisht në 9 lekë për kilovat, ndërkohë që ajo shitet aktualisht me 7.1 lekë për kilovat. E gjithë kjo, pa llogaritur edhe kostot operative të korporatës, shkakton humbje mjaft të mëdha për korporatën, gjë që edhe në rast të mbështetjes financiare të shtetit, do të çojë në dëmtimin e saj, duke humbur logjikën e tregut. Në këtë mënyrë, korporata e shikon rritjen e çmimit të energjisë si zgjidhjen e vetme për përmirësimin e saj financiar, për të garantuar furnizimin e plotë me energji për konsumatorët.

Rriten tarifat e energjisë për bizneset, përjashtim bëjnë vetëm prodhuesit e bukës dhe miellit


Vendimi i entit ka sjellë rritjen e tarifave të energjisë për bizneset në tërësi, ndërsa ka lënë të pandryshuar tarifat për industrinë e miellit dhe të bukës, ku çmimi i energjisë ka mbetur në nivelin e 7 lekëve për kWh për tensionin e mesëm dhe 7.5 lekë për kWh për tensionin e ulët. Sipas ERE-s, vendimi është bërë duke studiuar tregun, si dhe duke mbrojtur nga rritja e çmimit ata sektorë dhe biznese të cilët preken më shumë prej tarifave të energjisë elektrike, si dhe duke mbështetur ata sektorë të cilët janë më të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Në këtë mënyrë, sipas entit, është bërë një diferencim i tarifave, me qëllim vendosjen e raporteve sa më optimale midis çmimeve dhe tarifave të konsumatorëve të kategorive të ndryshme, i cili do të bëjë që çmimet të variojnë sipas bizneseve dhe sektorëve të ndryshëm, duke mbështetur më shumë veprimtaritë prodhuese, ndaj atyre të shërbimeve, si dhe ndaj veprimtarive tregtare. Sipas tarifave, çmimet ndryshojnë në vartësi të llojshmërisë së konsumatorëve si dhe të linjave të tensionit prej nga dhe furnizohen. Kështu, konsumatorët që furnizohen nga tensioni i lartë me energji elektrike, ku përfshihen klientët e furnizuar me asetet e tyre, do të paguajnë çmimin prej 5.20 lekë/kWh, çmimin 0.78 lekë/kWh për energjinë reaktive, ndërsa në periudhat e pikut çmimin prej 9 lekë/kWh. Në këtë grup përfshihen industritë, tregtia dhe shërbimet, bujqësia, etj. Në grupin e konsumatorëve, të cilët furnizohen nga tensioni i mesëm, nga linjat 35 kV, ku përfshihen industritë, tregtia dhe shërbimet, bujqësia etj., do të paguajnë çmimin prej 7.50 lekë/kWh, çmimin për energjinë reaktive prej 1.13 lekë/kwh, si dhe në kohën e pikut çmimin prej 10 lekë/kWh. Ndër klientët që furnizohen nga tensioni i ulët, grupi “tregti dhe shërbime” do të paguajë çmimin prej 10 lekë/kWh, industritë 9.50 lekë/kWh, prodhuesit e miellit dhe furrat e bukës me 7.50 lekë/kWh, bujqësia 9.50 lekë/kWh, si dhe buxhetorët 10 lekë/kWh.

Çmimi i energjisë për biznesin do të ndryshojë në varësi të orareve të pikut

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur së fundmi të aplikojë tarifat e diferencuara të energjisë, por vetëm për bizneset. Sipas entit, tashmë bizneset do të paguajnë energjinë me një çmim më të lirë gjatë orareve të ditës, ndërkohë që do të paguajnë më shtrenjtë gjatë orareve të pikut të ngarkesës së rrjetit. Kjo formë tarifimi bëhet për të stimuluar prodhuesit, si dhe bizneset në tërësi që të spostojnë oraret e punës së tyre gjatë orareve ku rrjeti është më pak i ngarkuar. Në këtë mënyrë, sipas ERE-s, kjo do të sjellë që edhe biznesi të përfitojë duke paguar më pak për energjinë e shpenzuar gjatë orareve me ngarkesë më të vogël, por edhe KESH-i do të përfitojë duke shpërndarë ngarkesën e rrjetit, si dhe duke lehtësuar furnizimin me energji. Koha e cila do të matet me çmimin e pikut të ngarkesës është përcaktuar nga ERE dhe do të shpërndahet sipas stinëve, si dhe sipas orareve gjatë ditës. Në këtë mënyrë, koha “pik” është ndarë në dy periudha, sipas stinës së dimrit dhe verës. Për periudhën dimërore, “pik”-u do të jetë nga datat 1 nëntor deri 31 mars, për oraret 18.00-22.00. Ndërsa për periudhën verore, “pik”-u do të jetë nga datat 1 prill-31 tetor, orari i “pik”-ut është nga ora 19.00-23.00.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›