Shqiptarët kërkojnë fazën e grupeve

Pa dyshim, ndeshja më interesante në fazën e play-offit, që u bë e ditur 10 ditë më parë në shortin që u hodh në Nyon të Zvicrës, do të jetë ajo ndërmjet gjermanëve të Borussia Monchengladbachut, ku luan futbollisti shqiptar, Granit Xhaka dhe ekipit ukrainas, Dinamo Kiev, ku aktivizohet shqiptari tjetër, Admir Mehmedi.
Përforcimi më i madh i Gladbachut, mesfushori Xhaka pritet t’i japë vetëbesim mesfushës së skuadrës gjermane, e cila e mbylli sezonin e kaluar në pozitën e katërt në Bundesligë.
Kurse, sulmuesi shqiptar nga Maqedonia do të mundohet të shënojë, për ta ndihmuar ekipin ukrainas drejt kualifikimit. Ndeshja e parë ndërmjet dy skuadrave do të zhvillohet sonte në Gjermani, ndërsa Dinamo Zagrebi i Fatos Beqirajt dhe Arijan Ademit do të përballet me Mariborin e Agim Ibraimit. Në anën tjetër, kampioni i Zvicrës, Basel ku luan Arlind Ajeti, do të përballet me ekipin rumun Cluj, derisa klubi i dyshes shqiptare, Ardian Gashit e Loret Sadikut – Helsinborg do t’i matë forcat me ekipin skocez, Celtic Glasgow.
Ndërsa ekipi qipriot, AEL Limasol, ku aktivizohet portieri shqiptar, Isli Hidi, do të luajë kundër ekipit të trajnerit kosovar, Besnik Hasi, Anderlecht.
Në takimet e tjera do të luajnë: Braga – Udinese, Spartak Moskva –Fenerbahce, Malaga-Panathinaikos dhe Lille –Copenhagen.