E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdec, shkon në 22 numri i viktimave

Ka shkuar në 22 numri i të vdekurve në tragjedinë e Gërdecit. Dje është konfirmuar viktima e 22-të, një nga pacientët e djegura që trajtohej në spitalin italian. Nafije Laçi nuk ka mundur që t‘u mbijetojë plagëve të marra nga djegiet e rënda edhe pse u dërgua me urgjencë në Itali për trajtim më të specializuar.

Çdo ditë në sektorin e Mjekësisë Ligjore, aty ku ndodhet dhe morgu identifikohen persona të tjerë, të cilët kanë gjetur vdekjen gjatë shpërthimit të madh më 15 mars, në fshatin Gërdec.

Ashtu siç ishte parashikuar viktimat e kësaj tragjedie do të ishin të konsiderueshme. Kryeministri Sali Berisha tha dje gjatë një prononcimi se priten rezultatet e analizave të ADN-së për identifikimin e dy viktimave të tjera, pas shpërthimit në Gërdec. "Nuk ka informacione të tjera, por priten analizat. Mendoj se me analizat e ADN-së është arritur të identifikohen të gjitha rastet, ndaj do të identifikohen dhe këto dy të tjerat", tha Kryeministri Berisha. Kështu, sipas bilancit, dje janë konfirmuar 22 viktima të identifikuara të kësaj tragjedie.

Një nga pacientët që trajtoheshin në Itali ka gjetur dje vdekjen në spitalin andej detit, pasi gjendja ishte tepër e rëndë dhe plagët ishin të thella. Por nga ana tjetër, në bazë të të dhënave të ushtrisë rezulton i paidentifikuar dhe një tjetër trup i pajetë. Sipas zv/komandantit të operacionit "Gërdec 2008" ka familjarë të cilët po kërkojnë për familjarët në zonën afër kraterit, ndërsa po priten rezultatet e analizave të ADN-së për të gjetur të dhënat e viktimave. Sipas zv.komandantit, Xhevdet Zeneli, nëse trupat e vendosur në morg nuk janë ato që kërkojnë familjet, atëherë të humburit e tjerë do të jenë nën rrënoja.

Gjatë këtyre ditëve, shumica e familjarëve, të cilët nuk kanë gjetur të afërmit kanë mundur të konfirmojnë të dhënat e regjistruara, në Spitalin Ushtarak, në spitalin "Nënë Tereza", si dhe në shtëpinë e pushimit në Konvaleshencë. Shumica e këtyre familjarëve kanë marrë ndihmë psiko-sociale nga specialistët e vendosur në spitale. Sipas psikologëve, gjendja e tyre emocionale është mjaft e rënduar.
SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›