Sneijder duhet t’i bashkohet Man United

Selektori i Holandës, Bert van Marwijk beson se Wesley Sneijder do të përfitonte, nëse transferohet në Manchester United. Ylli i Interit vazhdon të jetë objektiv i klubit nga ‘Old Trafford’, edhe pse Sir Alex Ferguson ditë më parë thoshte se nuk është i interesuar për përfaqësuesin holandez.
“Transferimi tek United do t’i bënte shumë mirë Wesleyt. Ai do të përfitonte si lojtar për të luajtur në Angli. Me Real Madridin dhe Interin, ai e ka mbushur CV-në mjaftueshëm, pasi luajti në klube të mëdha. Por, Manchester United do të ishte një tjetër hap i madh në shkallën ndërkombëtare për të. United kanë një stil të veçantë të lojës dhe janë konstant në nivele të larta”, u shpreh Van Marwijk, i cili e udhëzon 27 vjeçarin t’u bashkohet ‘Djajve të Kuq’.
Trajneri holandez shton se futbolli anglez ngjason në futbollin holandez, më shumë sesa ai italian, kështu që sipas tij, mesfushori ofanziv do ta kishte më të lehtë t’i përshtatet stilit të lojës në Premierligë.