Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë zyrtarizimin e shqipes
Në institucionet shtetërore të Maqedonisë nuk po gjen zbatim gjuha shqipe, edhe përkundër miratimit të një ligji.
Intelektualë dhe njohës të zhvillimeve politike në Maqedoni theksojnë se qeveria duhet të bëjë përpjekje maksimale për implementimin e plotë praktik të gjuhës shqipe, si gjuhë të dytë zyrtare.
Mos-zbatimi praktik i gjuhës shqipe dhe mungesa e një strategjie shtetërore për vënien në zbatim të kësaj gjuhe të dytë në nivel shtetëror, sipas qarqeve intelektuale shqiptare është një përgjegjësi që i takon edhe bashkësisë ndërkombëtare, por edhe partive politike shqiptare, sidomos asaj në pushtet.
Ambasadorët dhe organizatat e rëndësishme perëndimore në vend së fundi kanë inkurajuar shqiptarët që të mësojnë gjuhën maqedonase, mirëpo duke mos përcaktuar afate kohore.
Nga ana tjetër, problemi i zbatimit praktik të gjuhës shqipe po haset në çdo nivel të institucioneve, ku po zvarritet dhe po bëhen obstruksione politike dhe teknike.
Trysnitë rreth kësaj çështje po vazhdojnë të jenë të buta, duke mos hapur debat të gjerë në nivel institucional dhe shkencor.
Ligjëruesi universitar dhe ish-rektori i UT-së, Fadil Sulejmani ka theksuar se faji për këto çështje qëndron pikërisht tek vetë shqiptarët dhe faktori politik.
Publicisti Nijazi Muhamedi vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë më e qartë karshi problemeve të krijuara dhe jo të futet lojën e talljes me shqiptarët.