E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujdesi parësor, privatizimi i tretë i madh?

Tritan Shehu

Kujdesi parësor, veçanërisht mjeku i familjes, ka qenë objekt i ndryshimeve esenciale që nga viti 2005 në vendin tonë. Këto ndryshime janë të larmishme dhe produktive. Esenca e tyre është ecja në drejtimin e decentralizimit, autonomisë së këtij sektori, duke u lidhur dhe me Qeverinë vendore. I gjithë ky ndryshim mbështetet mbi kolonën kryesore të shërbimit, që është përfshirja e mjekut të familjes në skemën e sigurimeve shëndetësore. Pa dyshim kjo kërkon akoma për t’u objektivizuar me shumë elementë të tjerë, që lidhen me përcaktimin e kostos, pra me çmimin e produktit, që do të blejë sistemi i sigurimeve. Ky është një objektiv, që do të finalizohet me një arritje të madhe, kur produkti mjekësor i këtij shërbimi, si dhe i të gjithë sistemit tonë shëndetësor, të konvertohet në DRG, për të cilin po punohet me seriozitet. Deri atëherë, ky sistem do të vazhdojë të përdorë “sistemet historike”, si bazë e llogaritjes së kostos. Kështu veprohet dhe do veprohet në të gjithë sistemin shëndetësor, publik apo privat qoftë ky, në këtë fazë të ndërmjetme, pa krijuar pengesa të pa kalueshme për reforma të mëtejshme. Pa asnjë dyshim, janë ndryshimet në përputhje me ecurinë tërësore të vendit në rrugën e ekonomisë së tregut e iniciativës së lirë, që kanë qenë në bazë të arritjeve të këtij sektori kaq të madh e të rëndësishëm të sistemit shëndetësor. Në këtë mënyrë zhvillimet e tij mund, kanë dhe duhet të shërbejnë dhe si argumente të forta, për të shtyrë përpara tërë sistemin tonë shëndetësor në rrugën e decentralizimit, përfshirjes në tregun e shëndetit, krijimit të institucioneve mjekuese mbi modelin e ndërmarrjes. Nga ana tjetër, këto ndryshime po tregojnë sa i rëndësishëm është koncepti, që menaxhimi të delegohet në institucionet poshtë dhe “qendra” të luajë vetëm role politikë bërës, kontrollues, akreditues, vlerësues të cilësisë etj, pra vetëm rolet horizontale të saj.
Sidoqoftë, asgjë nuk është e nuk duhet të jetë statike në asnjë moment zhvillimi. Ky është një rregull i përgjithshëm, të cilit nuk mund t’i shpëtojë as sistemi parësor, pavarësisht arritjeve të tij. Unë do të thosha së tashmë kujdesi ynë parësor i ka të gjitha shanset të jetë sektori i tretë i madh shëndetësor, që mund e duhet t’i nënshtrohet privatizimit të plotë, sidomos për sa i përket sektorëve diagnostikues e mjekues të tij. Gjatë këtyre viteve, në shëndetësinë tonë janë realizuar dy privatizime të mëdha sektoriale: në stomatologji e farmaceutike. Të dy këto kanë dhënë rezultate të prekshme në të gjitha drejtimet, thellësisht pozitive, gjë që tashmë askush nuk mund t’i vë në dyshim. Kjo eksperiencë pozitive, së bashku më ecurinë e viteve të fundit të sistemit tonë parësor, të bazuar mbi mjekun e familjes, japin garanci të plota për suksesin e një privatizimi të gjerë të këtij sektori tashmë. Një privatizim i tillë, i shoqëruar me përmirësime e zgjerime të mbulimit nga sigurimet shëndetësore, veçanërisht drejt specialiteteve, do prodhonte rezultate tejet pozitive. Ky do të ishte një hap i madh përpara në konsolidimin e formatimin e tregut të shëndetit. Nga ana tjetër, kjo do ishte një provë e fortë suksesi për të ecur me privatizimin edhe drejt disa qendrave me shtretër, në nivelet menaxhuese të tyre, në futjen e sistemeve të përziera, apo deri te privatizimet e plota. Privatizimi i kujdesit parësor do ta bazonte këtë sektor tërësisht mbi profesionistët e lirë, ashtu si ai është në shumicën dërrmuese të vendeve perëndimore. Ne jemi nga vendet e pakta në botë, që vazhdojmë ta bazojmë sistemin parësor, mbi shërbimin publik e jo mbi atë jo publik të konvencionuar me sigurimet. Një privatizim i tillë do të nxiste interesin e personelit mjekësor që të zhvillonte klinikat e tyre, do të përmirësonte raportin kosto\cilësi, do të krijonte grupime specialistësh, grupime që mund të stimulohen dhe nga lehtësi fiskale. Në tërësi kjo politikë do të përmirësonte cilësinë e shërbimit dhe do të ulte koston e tij. Kjo do të jetë vej&anërisht e ndjeshme në nivelin e investimeve nga shteti, duke kaluar kështu në një marrëdhënie të re dhe në sistemin parësor.
Në fund të fundit, e ardhmja e këtij sektori të shëndetësisë, është qenia jo publike, është profesionisti i lirë i konvencionuar. Sa më shpejt të fillojë ky proces, aq më me efikasitet afatgjatë do të jenë financimet. Sot ne kemi një pafundësi qendrash shëndetësore në të gjithë vendin, ku punojnë kryesisht mjekët e familjes dhe për të cilat investohet jo pak. Po kështu kemi shumë poliklinika të mëdha specialitetesh në disa qytete, që vazhdojnë të jetojnë sipas modeleve të vjetra. Në këto institucione punon një personel i madh, i cili zakonshëm është përfshirë në aktivitete publike e private paralele, legale apo ilegale, duke krijuar kështu premisa për mjaft probleme. Këto modele për nga forma, mënyra e menaxhimit, kostoja e lartë e tyre, rentabiliteti i ulet, i gjen shumë rrallë në perëndim. Kalimi i tyre në pronësi apo në përdorim të profesionistëve të lirë, mjekë familje apo specialistë qofshin, do të ishte një nga format më të mira të privatizimit. Vlera e tyre mund të konvertohet në shërbim, për politikat sociale, për të cilat ata duhet të kontribuojnë. E përsëris, të gjitha këto ndryshime, që për shkak të reformave të fundit në këtë sektor janë parapërgatitur, do të sillnin përmirësime të mëtejshme në cilësinë e koston e shërbimit. Nga ana tjetër, duke ulur ndjeshëm peshën financiare të shtetit në drejtimet e mësipërme, do të ishte e mundur, që vlerat publike të koncentroheshin për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, si ai i urgjencës etj, për programe të specifikuara, studime, depistime, parandalime, politika sociale, pa pasur nevojë që shteti të përfshihet në menaxhim. Po kështu, kjo do të ishte edhe një politikë konkrete, në përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë sonë, për të goditur korrupsionin, kudo ku ai është.
Tashmë, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një hipotezë. Për më tepër, kjo strategji është provuar e konsoliduar qartësisht me privatizimin e stomatologjisë apo farmaceutikës te ne. Sistemi parësor, me ndryshimet pozitive që ka pësuar, i ka të gjitha shanset të jetë sektori i tretë i madh shëndetësor, që mund t’i nënshtrohet privatizimit të plotë, veçanërisht në nivelin e mjekut të familjes dhe të specialistit ambulator, pra në hapësirën mjekuese e diagnostikuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›