E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për kë ranë kambanat e Strasburgut?

Eno Bozdo

Thuajse dy javë pas takimit të Strasburgut ku z.Berisha dhe z.Rama u ftuan nga përfaqësuesit e lartë të politikës europiane për t`i dhënë zgjidhje ngrëçit politik në Tiranë, një analizë e kujdesshme duhet bërë mbi faktin se çfarë prodhoi dhe çfarë pasojash do të ketë takimi i Strasburgut si dhe misioni i ekspertëve të Komisionit Evropian në Tiranë.
Ajo që opinioni publik njeh dhe që është konfirmuar plotësisht nga të gjitha palët në lojë është afati dyjavor që përfaqësuesit e Bashkimit Europian u vunë në dispozicion të dy liderëve për të zgjidhur ngrëçin politik. Sigurisht, për shkak të konfidencialitetit të takimit, askush përveç pjesëmarrësve në këtë takim nuk njeh detajet e plota të tij: për çfarë ekzaktësisht u diskutua? Cili ishte toni dhe klima e diskutimeve? çfarë qëndrimi mbajtën përfaqësuesit e veçantë të politikës europiane, të majtë dhe të djathtë? Po komisioneri i zgjerimit, Fule, çfarë qëndrimi mbajti? Kujt iu tërhoq veshi dhe cili ishte reagimi përkatës?
Të gjitha këto pyetje në thelb mund të përmblidhen me pyetjen e plotë: në fund të fundit, për kë ranë kambanat e Strasburgut?
Në fakt, është thuajse e pamundur t'u përgjigjesh të gjitha pyetjeve të mësipërme pa qenë vetë pjesëmarrës në këtë darkë, por sigurisht nëpërmjet arsyetimit të ftohtë dhe logjik, një pjesë e mirë e këtyre pyetjeve mund të marrin përgjigje të arsyeshme dhe të fundme. Dhe kjo gjë do të na lejojë ne që të kuptojmë më mirë pozicionimin e palëve si dhe qëndrimet e tyre në negociatat që po zhvillohen me ekspertët e KE, deri në fund të afatit dyjavor. Sidoqoftë, pavarësisht se në media raportohet që "ngërçi" i vetëm është çështja e djegies apo jo të fletëve të votimit, është mirë të sjellim në vëmendje të lexuesit disa fakte që do të na lejojnë të gjykojmë më saktë mbi rrjedhën e ardhshme të ngjarjeve:
-Tërheqja e menjëhershme e z. Rama nga greva e urisë. Kjo tërheqje erdhi thuajse e papritur për vetë mënyrën sesi ishin zhvilluar ngjarjet. Vetëm dy ditë më parë z. Rama në mbledhjen e grupit të tij parlamentar kishte theksuar se greva e urisë nuk do të mbyllej, përkundrazi ajo do të kthehej në një grevë me turne, ku grevistet do të zëvendësoheshin(!!) Sado i çuditshëm dhe i pakuptimtë të ishte ky deklarim i z. Rama, fakti qëndronte se ai nuk kishte ndërmend të bënte hap prapa. Papritmas në vigjilje të takimit të Strasburgut, z. Rama brenda një pasditeje të vetme gëlltiti të gjitha ato çfarë kishte thënë përgjatë muajit të fundit. Në një fjalim të tij që zgjati 30 minuta për militancën socialiste dhe pjesëmarrësit në grevën e urisë, nuk u përmendën aspak arsyet e daljes nga greva si dhe 'përse'-ja e marrjes së një vendimi kaq drastik. Si për ironi të ngjarjeve, pa më të voglën rezistencë morale, grevistet e kënaqur dolën nga greva e tyre.
-Ftesa e përbashkët dhe prezenca e lartë nga të dyja kampet politike europiane: Përgjigja mendoj së ka vetëm një shkak: pavarësisht qëndrimeve jo të njëjta të herëpashershme ( dhe të kuptueshme) të eurodeputetëve të majtë dhe të djathtë, në nivelin institucional Partia Popullore Europiane dhe Partia Socialiste Europiane janë në një mendje për sa i takon ngërçit shqiptar dhe mënyrës sesi ai duhet zgjidhur. Atëherë dikush me të drejtë mund të pyesë: cila është kjo "mendje e njëjtë"? Përgjigja është vetëm një: është linja që kanë ruajtur në përgjigjet e tyre të gjithë përfaqësuesit e BE, të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian në nivelin politik dhe administrativ, përfshirë edhe komisionerin Fule. Kjo linjë i referohet veçanërisht zgjidhjes si një element që duhet patjetër të jetë në përputhje me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor të vendit. Pra, me pak fjalë, ftesa ishte e përbashkët, sepse pavarësisht përkatësisë së kampeve të majta e të djathta, asnjë politikan i BE nuk mund t`i lejoje vetvetes t`i bëjë presion z. Berisha dhe maxhorancës për të pranuar një zgjidhje në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
-Reagimi i Z. Berisha menjëherë pas ardhjes së tij nga Strasburgu: Të gjithë ata që kanë ndjekur me vëmendje deklaratat e Kryeministrit, jo vetëm në çastin e mbërritjes së tij nga Strasburgu, por duke filluar qysh kur u artikulua për herë të parë kërkesa e opozitës për hapjen e kutive zgjedhore, e dinë dhe e kuptojnë se Kryeministri ka mbajtur ekzaktësisht të njëjtën linjë mendimi, pavarësisht emocioneve të shprehura, të cilat i përgjigjeshin temperaturës politike në vend. Linja e mbajtur nga Kryeministri ishte dhe është: "Unë pranoj gjithçka që është në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe vendimet e gjykatës. çdo gjë që bie jashtë këtij kufiri ligjor, është thjesht e pamundur për mua."
-Reagimi i Z. Rama pas kthimit të tij nga Strasburgu: Z. Rama dhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste përmendin pa reshtur si kusht thelbësor dhe si një çështje e cila (sipas tij) do të ishte panegociueshme, hapjen e kutive ku mbahen fletët e votimit, pavarësisht kundërshtisë së plotë me nenin 178/6 të Kodit Zgjedhor. Një javë më parë me një fjalor të rënduar, në të njëjtën mbledhje ku merrej vendimi për t'iu rikthyer jetës parlamentare, në mënyrë paradoksale z. Rama deklaroi përsëri se ai " ..nuk heq dorë nga hapja e kutive të fletëve dhe të kundrafletëve të votimit.. " duke ashpërsuar kështu përsëri gjuhën politike. Në të vërtetë, Kodi Zgjedhor në nenin 178/6 të tij e përcakton qartë procedimin me kutitë e fletëve të votimit në çastin më të parë që ato hapën: ato digjen me një procedurë të caktuar, ndërsa materialet zgjedhore që ndodhën në kutitë e tjera depozitohen në Arkivin e Shtetit. Afërmendsh, në bazë të ligjit për Arkivin e Shtetit është plotësisht e mundur të krijohet aksesi i Komisionit Parlamentar Hetimor tek këto materiale. Kjo është e drejtë që derivon nga ligji dhe që nuk tjetërsohet. është e kuptueshme që z. Rama nuk mund të mjaftohet me këtë të drejtë që ia jep ligji dhe që për të cilën nuk kishte fare nevojë të organizonte një greve urie. Ndryshe atij do t'i duhet të japë llogari tek elektorati i tij socialist si dhe të përballet me kritikat e hapura nga eksponentë kundërshtarë të tij brenda Partisë Socialiste.
Nëse në mënyrë logjike do të mund të interpretonim faktet e njohura të sipërpërmendura, do të vërejmë se me apo pa grevën e urisë, me apo pa takimin e Strasburgut dhe vizitën e ekipit negociator përfaqësues të Komisionit Europian, në thelb palët kanë ruajtur pozicionet e tyre që kanë pasur që përpara 6 muajsh, atëherë kur ngrëçi politik u kthye në realitet. Z. Rama verbalisht artikulon të njëjtën logjikë dhe kërkon po të njëjtat gjëra që ka kërkuar edhe 9 muaj më parë dhe në të njëjtën kohë Z. Berisha i përgjigjet atij në të njëjtën mënyrë: "Asgjë jashtë Kushtetutës, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ligjeve të vendit!"
Por ama ka një ndryshim: z. Rama inicioi një grevë, të cilën s'kishte ndërmend ta mbaronte ndonjëherë, por çuditërisht u tërhoq pa dhënë asnjë arsye. Z. Rama pranoi të futej në Parlament si një dele e urtë dhe e bindur, ndërsa për javë të tëra deputetët e tij e kalonin kohen duke bllokuar rrugët kombëtare. Pra, sipas bilancit të kësaj llogarie, na del qartë se ndonëse në deklarime gojore palët janë ekzaktësisht aty ku kanë qenë edhe muaj më parë, në veprimet në terren z. Rama është zbythur e zbutur, duke dhënë sinjalin përfundimtar se në Strasburg kambanat ranë për të!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›