Kushtetuesja, Godo: Topi të zëvendësojë vetëm 3 anëtarë
ADI SHKEMBI
Bashkëhartuesi i Kushtetutës, Sabri Godo, i kujton Presidentit Bamir Topi nenin 125 të ligji themeltar për zëvendësimin e anë-tarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, kreu i shtetit duhet të zëvendësojë tre anëtarë të kësaj gjykate, ndërkohë që propozon që Kushtetuta të mos ndryshohet sa herë vihen re vakume ligjore, por të ngrihet një komision i posaçëm, i cili do të përgatisë një paketë. “Paragrafi i parë sipas të cilit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zëvendësohen një herë në tre vjet tre anëtarë është kategorik”, tha Godo në një intervistë për gazetën “Panorama”. “Unë e thashë që Parlamenti nuk mund të vërë dorë në Kushtetutë, kjo u përsërit dhe jemi duke e bërë Kushtetutën si defter bakalli. Kjo nuk është serioze, kjo është vërtetuar në vitet e fundit, por duhet të ndalet një herë e përgjithmonë”, theksoi më tej politikani i njohur, Sabri Godo.
Zoti Godo, Presidenti Bamir Topi ka dekretuar emrat e tre gjyqtarëve për në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që edhe tre të tjerëve u ka përfunduar mandati. Si bashkëhartues i Kushtetutës, si do të bëhet zëvendësimi i këtyre anëtarëve duke ditur që në ligjin themeltar parashikohet zëvendësimi i 1/3 së anëtarëve dhe kjo bëhet 1 herë në tre vjet? A ka vend për rishkimin e Kushtetutës?
është dashur prej kohësh që të përgatitet një paketë për të gjitha rastet kur Kushtetuta krijon një vakum. Ka edhe çështje të tjera që janë të diskutueshme në Kushtetutë, që i nxori koha. Këtë e ka bërë edhe Kroacia, madje e shpalli si republikë të dytë ribërjen e Kushtetutës. Ne nuk kemi nevojë ta ribëjmë Kushtetutën, kemi një Kushtetutë të mirë të niveleve evropiane. Ne kemi nevojë vetëm të rishikojmë ato gjëra që duhen amenduar në Kushtetutë. Kjo duhet bërë nga një komision i posaçëm, që do të përgatisë një paketë për të gjitha ndryshimet dhe t’ia paraqesë këto Parlamentit, nëse nuk do të jetë nevoja, të kalohet përsëri në referendum.
Konkretisht për rastin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti duhet t’i referohet paragrafit që përcakton zëvendësimin e 1/3 së anëtarëve brenda një viti? Ka edhe një paragraf tjetër, sipas të cilit gjyqtari në këtë gjykatë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij...
Presidenti nuk duhet të bëjë asgjë përtej Kushtetutës. Paragrafi i parë, sipas të cilit anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zëvendësohen një herë në tre vjet tre anëtarë është kategorik. Ndërkohë që kryhet procesi, mund të shkojë një javë, mund të shkojë një muaj zëvendësimi i tyre. Gjatë kësaj kohe që të mos mbetet Gjykata Kushtetuese bosh, ai qëndron në detyrë. Kjo është njësoj edhe për ministrat, shkarkohet një ministër, por qëndron në detyrë deri sa vjen ministri tjetër. Ky është kriter i përgjithshëm i administratës.
Kjo do të thotë që Presidenti duhet të zëvendësojë anëtarët një herë në tre vjet nga tre anëtarë?
Ai duhet t’i referohet Kushtetutës.
Cili duhet të jetë roli i Parlamentit në këtë rast?
Unë e thashë që Parlamenti nuk mund të vërë dorë në Kushtetutë, kjo u përsërit dhe jemi duke e bërë Kushtetutën si defter bakalli. Kjo nuk është serioze, kjo është vërtetuar në vitet e fundit, por duhet të ndalet një herë e përgjithmonë.
Në rastin konkret ka katër anëtarë të tjerë që u ka mbaruar mandati, ndërkohë që Kushtetuta parashikon që një herë në tre vjet mund të zëvendësohen 3 anëtarë...
Kjo do një rregullim, por sot për sot duhet të zbatohet Kushtetuta. Por e theksoj edhe njëherë, nuk mund të merremi me Kushtetutën sa herë na del një çështje përpara, nuk mund ta vërtisim këtë Kushtetutë tani si mulli ere.
Neni 125 i Kushtetutës
1. Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.
2. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion.
3. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo tre vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj.
4. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë prej 3 vjetësh.
5. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.