E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Kosta mashtroi në Komisionin e Ligjeve



Partia Demokratike sqaroi dje sërish pozicionin e saj, lidhur me rrëzimin e kandidaturës së Vangjel Kostës për në Gjykatën Kushtetuese. Deputeti Eduard Halimi tha në një konferencë për shtyp se kandidati i propozuar nga Presidenti Topi mashtroi Komisionin e Ligjeve, kur u pyet nëse ka dhënë dënime politike. “Për sa i takon rastit të Vangjel Kostës, njoftojmë opinionin publik se kandidati për anëtar i Gjykatës Kushtetuese gënjeu, mashtroi Komisionin Parlamentar në seancën dëgjimore, kur mbas pyetjes së deputetëve, nëse ka zhvilluar procese e gjyqe politike, iu përgjigj -JO! Ndërkohë rezultoi se zoti Kosta kishte disa të tilla, për më tepër edhe në vitet e grahmave të fundit të regjimit barbar”, tha Halimi. Sipas tij “qoftë edhe vetëm për gënjeshtrën dhe mashtrimin që bëri para deputetëve të komisionit, zoti Kosta nuk mund të pranohej”. Gjatë komunikimit me mediat, deputeti Halimi tregoi detaje të një takimi mes kreut të grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi dhe këshilltarit juridik të Presidentit Topi, Spiro Peçi. “Kryetari i Grupit parlamentar të PD-së në takime zyrtare me këshilltarin e Presidentit të Republikës (Spiro Peçi) ka siguruar Presidentin se maxhoranca nuk do të sugjerojë asnjë kandidat e do votojë çdo kandidat që plotëson kriteret profesionale, por që nuk kanë marrë pjesë në procese politike të regjimit barbar totalitar dhe nuk kanë mbajtur funksione politike gjatë 20 viteve të pluralizmit, qoftë në Qeveritë e PS-së apo të PD-së. Ky vendim i maxhorancës vjen nga besimi i saj më i thellë se nuk mund të jenë në krye të drejtësisë shqiptare, tani pas 20 vitesh, gjykatësit apo prokurorët e proceseve politike të diktaturës”, tha më tej Halimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›