“Shqiptarët presin me padurim që PS-ja të votojë tre ligjet”

Ministria e Jashtme reagon pas deklaratave të PS në drejtim të imazhit të Shqipërisë
Ministria e Jashtme shprehu indinjatën për deklaratat e papërgjegjshme, fyese dhe denigruese të lëshuara nga selia e Partisë socialiste, në drejtim të imazhit të Shqipërisë dhe trupit diplomatik që përfaqëson sot shqiptarët kudo në botë.
“I kujtojmë zëdhënësit të Ramës, Veliajt, se gjatë kësaj qeverisjeje, qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, brenda apo jashtë kufijve të vendit, kanë arsye për të qenë më krenarë se kurrë për vendin e tyre. Shqiptarët kudo ndodhen, sot përfaqësojnë një vend anëtar të NATO-s. Shqiptarët kudo ndodhen, posedojnë pasaportën së cilës i besojnë 26 vendet anëtare të Shengenit. Shqiptarët kudo ndodhen, presin me padurim që Partia Socialiste të votojë tre ligjet që u japin dritën jeshile për statusin e vendit kandidat”, thuhet në deklaratën e MPJ.
Ndër të tjera, thuhet në deklaratë se, “rrekja e zëdhënësit të Edi Ramës, për të sulmuar trupin diplomatik të Republikës së Shqipërisë, është në sinkron të plotë me përpjekjet e tij për të eklipsuar vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri, për të mbajtur shqiptarët të izoluar nga lëvizja pa viza drejt BE-së, për të ndërkombëtarizuar rastin ‘Griselda, etj”.
Në fund të deklaratës Ministria e Punëve të Jashtme, gjen rastin të sigurojë të gjithë qytetarët shqiptarë, se vazhdon të punojë me përkushtim për të trajtuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit të gjitha çështjet e hapura me vendet e tjera. “Të gjitha këto çështje, përfshirë atë të toponimeve me Greqinë, apo për sigurimet shoqërore, etj, janë pjesë e axhendës diplomatike në kontaktet e përditshme të këtij dikasteri”, përfundon deklarata.