E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: “Dosjet”, kontroll mbi institucionet

Autori i Lajmit: red.
“Kushtet e burgjeve mbeten jashtë standardeve ndërkombëtare. Megjithatë, Qeveria ka lejuar grupet monitoruese të të drejtave të njeriut, dhe median të monitorojnë kushtet e burgjeve”

Departamenti Amerikan i Shtetit kritika për zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Në një raport të bërë publik dje janë analizuar një sërë çështjesh të rëndësishme të politikës shqiptare nga dosjet, sistemin gjyqësor etj. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar ligjit të Lustracionit. Raporti thekson se ky ligj është shumë i mjegullt dhe lë hapësira për abuzime nga ana e Qeverisë. Në kapitullin për Shqipërinë, ky raport ngre shqetësime dhe për çështje që kanë të bëjnë me qëndrimin e autoriteteve ndaj pronës private, respektimit të së drejtës së të pandehurve për procese të drejta gjyqësore apo respektimit të të drejtave të arrestuarve, kushtet e burgimit etj.
Kritikat
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se ligji i Lustracionit është formuluar me terma të mjegullta, që i japin Qeverisë hapësirë tepër të gjerë për të përcaktuar vetë se çfarë nënkuptohet nga aktiviteti politik i ish-zyrtarëve të sistemit komunist, duke i dhënë dorë të lirë të vendosë se kush do të shkarkohet nga detyra. Aty theksohet gjithashtu se ligji i “Dosjeve” lë hapësira për ndërhyrje në sistemin gjyqësor, dhe në institucionet e pavarura. Raporti nënvizon edhe konfliktin e lindur ndërmjet Ekzekutivit dhe gjyqësorit nga ky ligj, pasi pritet që ligji të prekë një numër anëtarësh të Gjykatës Kushtetuese. Raporti flet edhe për hetimet mbi tragjedinë e 15 marsit në Gërdec, duke i cilësuar si jo transparente për shkak të ndërhyrjeve nga ana e Qeverisë. Ndërkohë që vihet theksi dhe mbi zgjatjen përtej afateve të proceseve gjyqësore dhe zhvillimin e seancave jo në bazë të kritereve ligjore si dhe moszbatimin e ligjit gjatë arrestimit të të dyshuarve. Shpesh. Thuhet në raport, kalon afati i 48 orëve brenda të cilave një i arrestuar duhet të dalë brenda gjykatës. Raporti i DASH-it, thekson më tej se prona private vazhdon të jetë një problem i konsiderueshëm në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje në analizën vjetore të Departamentit ngrihet problemi i hendekut mes kompetencave të kufizuara të Avokatit të Popullit për të vepruar dhe ankesave që vijnë pranë tij lidhur me çështjen e pronave. Në kapitullin për Shqipërinë, Departamenti i Shtetit ngre gjithashtu shqetësimin lidhur me kushtet në burgje, të cilat ende nuk përmbushin standardet ndërkombëtare. Po ashtu, në raport përmendet edhe rasti i 7 të ndaluarve në një rajon policie që ishin mbajtur mbi 15 ditë, pra për një kohë shumë më të gjatë se periudha prej 48-orësh që lejohet për ndalim para gjykimit. Sipas këtij raporti, mediat në Shqipëri përdoren politikisht, ndërsa gazetarët janë të vetëcensuruar. Në raportin për të drejtat e njeriut, korrupsioni në Shqipëri konsiderohet si pengesa kryesore për realizimin e reformave.

Proceset gjyqësore
Shpesh gjyqet zgjaten më tepër se hapësirat që i lejon ligji. Sistemi i gjyqësorit momentalisht nuk siguron gjyqe me juri. Prokurorët dhe gjykatësit shpesh i prezantojnë çështjet përballë një paneli gjyqtarësh apo një gjyqtari të vetëm dhe të pandehurit kanë të drejtën të shikojnë të gjitha provat që prokurorët i kalojnë gjykatësit.
Burgjet
Kushtet e burgjeve mbeten jashtë standardeve ndërkombëtare. Megjithatë, Qeveria ka lejuar grupet monitoruese të të drejtave të njeriut, dhe median të monitorojnë kushtet e burgjeve. Ministria e Drejtësisë, ka rikonstruktuar të gjitha burgjet dhe godinat ku vuajnë dënimin të burgosurit. Monitorimet e fundit tregojnë që ka njëfarë përmirësimi, dhe në trajtimin e të burgosurve. Sidoqoftë mbeten ende probleme akute, infrastruktura, kushtet sanitare dhe trajtimi i të burgosurve. Qeveria ka lejuar monitoruesit vendas dhe ndërkombëtarë për të vlerësuar kushtet e qendrave të vuajtjes së dënimit.
Arrestimet
Pavarësisht se Kushtetuta nuk e lejon me ligj arrestimin arbitrar, në shumë raporte policia vazhdon ende të shoqërojë persona dhe t i mbajë në kushtet e paraburgimit për një kohë të gjatë. Policia e ka zbatuar përgjithësisht rregullin e lajmërimit të familjarëve pas arrestimit të personit. Brenda 48 orëve të para, i arrestuari duhet të dalë përpara gjykatës, por shpesh autoritetet nuk e kanë zbatuar këtë të drejtë.
Ligji i Lustracionit
Në 22 dhjetor, Parlamenti kaloi ligjin e Lustracionit, i cili do të lejojë përjashtimin e zyrtarëve që kanë marrë pjesë në “proceset politike” gjatë regjimit komunist, dhe kanë shërbyer në pozicione të rëndësishme, si: gjykatës, prokurorë, etj. Megjithatë, kjo i jep Qeverisë së sotme të drejtën për të vlerësuar emrat që do të përfshijë në të ashtuquajturat “procese politike”, duke sjellë dhe përjashtimin e tyre. Monitoruesit ndërkombëtarë, kanë kritikuar ligjin me preteksin se ai do t i lejojë Qeverisë të vendosë kontroll mbi institucinet e pavarura, veçanërisht në ato ligjore.
Kthimi i pronave
Mbeten ende problem pronat e sekuestruara gjatë regjimit komunist. Raporti i Avokatit të Popullit konfirmon se brenda një viti, janë shqyrtuar në total 223 ankesa, veçanërisht në lidhje me vendimet e gjykatave, për çështjet e pronësisë. Avokati i Popullit shumë nga kërkesat i vlerësoi se kalonin kompetencat e tij. Autoritetet vendase kanë qenë disi të tërhequra për shkak të reagimeve të forta social-politike.

Ngjarjet e përmendura në raport
Pronat
Raporti i Avokatit të Popullit konfirmon se brenda një viti, janë shqyrtuar në total 223 ankesa, veçanërisht në lidhje me vendimet e gjykatave, për çështjet e pronësisë. Agjencia e Kompensimit dhe Kthimit të Pronave (AKKP) deklaroi se për dëmshpërblimin e të gjithë pronarëve në Shqipëri do të duheshin 342 miliardë lekë (3.5 miliardë $)
Vrasjet
Pas një raporti të “Human Rights Ëatch”, në 4 prill, u fol për trafik organesh të civilëve serbë në një fshat në veri të Shqipërisë. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria mohuan përfshirjen e tyre në këtë trafik.
Antikorrupsioni
Gjatë vitit 2008, ministri i Brendshëm, raportoi se kishte trajtuar 68 raste korrupsioni dhe 276 raste abuzimi të punonjësve të administratës publike. U hetuan 153 zyrtarë në total, dhe u arrestuan vetëm 72.
Zhdukjet
DASH përmend rastin e zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, dhe hetimi i ish- kreut të Taksave në Tiranë, Arben Sefgjini, dhe kolegëve të tij kur punonin në SHIK Budion Meçe, Avni Kolladashi dhe Ilir Kumbaro.
Tortura
Në dy raste në Burgu e Burrelit, avokati doli në konkluzionet se rojet e sigurisë kishin ushtruar dhunë ndaj të burgosurve.
Gjyqësori
Njësia e antikorrupsionit ekonomik, ka denoncuar 224 raste korrupsioni. Janë dënuar zëvendësministri i Transporteve dhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punës.
Ky lajm është publikuar: 26/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›