E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbollistët, "artistë të merituar" në profesionin e tyre

Ndeshja Çelsi-Barcelona, përvç spektaklit që dhuroi në fushën e lojës, më shumë ishte e karakterizuar nga akuzat e shumta, si para ndeshjes, ashtu edhe pas saj. Në fillim ishin futbollistët e Barcelonës ata që akuzuan drejtuesit e skuadrës kundërshtare, se e kishin dëmtuar fushën e "Stemford Bridxhit" me qëllim, në mënyrë që të mos i lejonin katalanasit të zhvillonin sa më mirë lojën e tyre me pasa të shpejtë. Ndërkohë që pas ndeshjes, akuzat u drejtuan në krahun e kundërt. Ishte pikërisht skuadra angleze që pretendonte se mbrojtësi Asier del Horno u nxor nga fusha e lojës me karton të kuq, për vetë faktin se Lionel Mesi e luajti shumë bukur pjesën e tij si "aktor". Në fakt, sporti gjithmonë ka qenë i karakterizuar nga lëvizje të zgjuara, ose më saktë hileqare, gjatë ndeshjeve të rëndësishme, të cilat pa të drejtë kanë ndikuar në rezultatin e ndeshjeve. Veprime të tilla kanë hyrë në futboll pas viteve 1950-1960, kur përdoreshin vetë faullet e rënda teknike. Në fakt, parulla e organeve drejtuese të futbollit është për një lojë sa më të ndershme. Gjithsesi, në ndeshje të rëndësishme, futbollistët janë gati të përdorin shumë mënyra, vetëm e vetëm që të fitojnë. Nga provat televizive, rasti i ndërhyrjes së Del Hornos ndaj Mesit ishte një faull, gjithsesi ne duhet të pranojmë se akuzat e Çelsit janë më shumë të bazuara te një fakt që po ndodh shpesh në botën e futbollit në vitet e fundit. Sulmuesit kanë filluar të përdorin sa më shumë mënyra dhe stile të reja, për të fituar penallti apo për t'i ndihmuar të shënojnë gola. Në fakt, veprime të tilla tregojnë edhe se një arbitër nuk mund të shikojë gjithçka në fushën e lojës. Ai është një qenie njerëzore dhe mund të gabojë. Por na duhet të pranojmë se arbitrat kanë treguar shpeshherë se janë edhe më të aftë se ç'duhet. Në vitin 1989, portieri i Kilit, Roberto Rojas, hodhi një kapsulë gjaku në fytyrën e tij, në mënyrë që ndeshja kualifikuese për në Kupën e Botës, kundër Brazilit, të ndërpritej, por ishte arbitri i ndeshjes ai që kuptoi gjithçka. Pra, na duhet të shikojmë të dyja anët e medaljes dhe duhet menduar se si të gjendet një mënyrë për të ndalur këtë gjë. Gjithsesi duhet të pranojmë se në futboll ka edhe shumë raste që futbollistët kanë menduar të jenë sa më të ndershëm. Në sezonin 1996-1997 të kampionatit anglez, portieri i Arsenalit, Devid Siman, pësoi një dëmtim dhe ishte i shtrirë në fushën e lojës, ndërkohë që sulmuesi i skuadrës kundërshtare, Paolo di Kanio, u gjend para portës me topin dhe kishte rast për të shënuar. Në fakt ai ndaloi lojën, në mënyrë që të mjekohej Simani, duke i hequr një gol të sigurt nga duart skuadrës së tij, por duke treguar se futbolli është një sport që ka edhe futbollistë të ndershëm...

Rumenige shtyn Balakun drejt Interit
Karl Rumenige shtyn Mikael Balakun drejt Interit pikërisht në ditën ku Masimo Morati rivendos duart te Ronaldoja, duke e larguar nga shënjestra e Milanit. Dy pohime të rëndësishme dhe rastësisht në kohë të njëjtë. Interesimi për dy lojtarë të tillë kaq të rëndësishëm nga Interi në mënyrë kaq të hapur, do të thotë të nxisësh dëshirat 3-4 muaj para fillimit të merkatos verore. Dhe para së gjithash konfirmon një sërë të dhënash, që prej muajsh shikojnë si protagonistë njerëzit e Masimo Moratit.

Inter, Adriano rrezikon pezullimin
Pas vendimit të gjykatësit sportiv për të anuluar dy javët e pezullimit të Adrianos, prokurori i përgjithshëm i Federatës Italiane të Futbollit ka paraqitur dje apelin ndaj komisionit disiplinor, duke kërkuar anulimin e vendimit. Vendimi përfundimtar do të jepet sot dhe vetëm atëherë mund të thuhet fjala e fundit mbi çështjen: "Kemi besim në vendimet e gjykatësve, - tha dje presidenti zikaltër, Faketi. - Edhe ndaj komisionit disiplinor."

Reali, 15 milionë euro për Fabregasin e Arsenalit
Skuadra spanjolle e Realit të Madridit, që ka deklaruar se po mendon të blejë Eshli Kolin, i cili është cilësuar si zëvendësuesi ideal i Roberto Karlosit, tani ka piketuar një tjetër yll të Arsenalit. Bëhet fjalë për 18-vjçarin Çeks Fabregas, i cili shkëlqeu në ndeshjen e Ligës së Kampioneve. Madrilenët kanë deklaruar se janë gati të bëjnë një ofertë prej 15 milionë eurosh për futbollistin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›