E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët si qenie ekzotike, argëtuese

06/05/2005  Java evropiane

Kur java evropiane ka përfshirë gjithë diplomacinë- në Shqipëri po këmbëhen vizita dhe eksperienca - ndërsa ende nuk është reklamuar se si ndjehet kultura shqiptare në këtë proces integrimi. Cilat janë në thelb hapat e para të përfshirjes në kulturën evropiane - kuratori Edi Muka tregon eksperiencën e Bienales së Tiranës

Java evropiane ka zgjuar gjithë ambasadat e huaja që ndodhen në vendin, në aktivitete e veprimtari që rrëfejnë tolerancën, komunikimin dhe paqen në Evropë. Por kur puna ka ardhur te shqiptarët, vetëm një debat i ngritur pak ditë më parë në ambasadën gjermane, ka treguar realisht se si ndjehet kultura shqiptare përballë këtij integrimi.

Kuratori Edi Muka, që vjen nga një eksperiencë e njohur në aktivitetet ndërkombëtare, e kërkon gjykimin më së pari te vetja, tek e drejta që duhet fituar për të pranuar. Rezistenca e tij në Bienalen e Tiranës, ka shembullin e një platforme, e cila ofron mundësi, potenciale dhe të drejtën e shkëmbimit. Këto në thelb përbëjnë për kuratorin hapin e parë drejt integrimit, njohjes në Evropë, ku ne si vend i vogël nuk i kemi të pakta rastet. Kur në të njëjtën kohë, Shqipëria është parë si një qenie ekzotike në sytë e perëndimit, gati argëtuese.

Por sa do të vazhdojë kjo? Të vetmit, beson kuratori, do të jenë artistët, që do të afrojnë integrimin, kur brenda komunitetit iu duhet tw ngrenë zërin, deri nw një forum, për të ballafaquar problemet dhe sfidat nw kulturw.

Ka nisur gati si fushatë java evropiane në vendin tonë, ku në një nga takimet të organizuar në ambasadën gjermane, u ndal një debat mjaft delikat për vendin tonë, që ka të bëjë me integrimin e kulturës në Evropë. Çfarë mendoni se nuk shkonte në këtë bisedë?

Java kulturore evropiane është një axhendë politike e përcaktuar nga Komuniteti Evropian, nuk është çështje fushate. Kjo organizohet në forma të ndryshme në shumë vende. Me sa e kam ndjekur nga programi, ka disa gjëra interesante, kryesisht filma, por dhe aktivitete të tjera dhe një nga gjërat më me vlerë që u bë, mendoj se ishte tryeza e debatit, që u organizua nga ambasada gjermane. Siç e thashë dhe në takim, mendoj se ishte gjë e mirë që u bë kjo bisedë, jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar. Por e ndiej si problem, sepse, në fakt, nuk duhet të jetë ambasada gjermane që të na mbledhë ne në këtë tryezë. Por duhet të ishim ne që të organizohemi në këto forma, tryeza debatesh, platforma, forume etj., dhe të ftojmë ambasadën gjermane të na dëgjojë se çfarë kemi ne për të thënë.

Një pikë e diskutuar është marrwdhënia mes kulturës dhe integrimit evropian, nga cilët mendoni se realizohet ky proces, çfarë peshe kanë pasur artistët?

Në lidhje me marrëdhënien mes kulturës dhe integrimit evropian, nëse ka ndonjë lloj integrimi të Shqipërisë, sado minimal, ky ka ardhur vetëm nëpërmjet individëve artistë të disiplinave dhe fushave të ndryshme.

Ata me shumë dinjitet kanë përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete me nivel shumë të lartë, kudo në botë. Kryesisht këta individë nuk jetojnë në Shqipëri, por jashtë saj, gjë që tregon për një lloj mosfunksionimi normal të strukturave dhe sistemeve, që të përputhin të dyja gjërat që eventualisht artistët të jetojnë dhe në vendin e tyre. Por nuk e shoh si problem këtë, që domosdoshmëritë, artistët e mirënjohur që përfaqësojnë Shqipërinë duhet patjetër të jetojnë këtu. Nuk është aspak kwshtu, përkundrazi është shumë bukur që ata janë të shpërndarë dhe jetojnë në shumë vende të botës, por që mbartin me vete dhe një copë nga vendi i tyre dhe fatmirësisht mbartin pjesët e mira të saj, të cilat sadopak kanë ndihmuar në përthyerjen, apo ndërrimin e atij imazhi të kobshëm, që ende kemi kudoqoftë dhe në vendet fqinje që na rrethojnë.

Si duhet nënkuptuar marrëdhënia jonë me perëndimin, kur jemi duke hedhur hapat e para të këtij procesi integrues?

Për sa i përket integrimit, mendoj se marrëdhënia jonë me perëndimin do të nënkuptojë integrimin në një sistem perëndimor, ose gjysmë të botës, që ka lidhje me psikologjinë, mentalitetin, steriotipet, standardet, strukturat. Kjo është ajo anë që ka vënë kufijtë këtej nga ne, drejt ku synohet të shkohet, që të arrihet një grimaskë përfaqësimi. Mendoj se ky nuk është integrim, thjesht fakti të jesh i pranishëm në atë gjysmën atje, që është ëndrra e të gjithë neve. Kjo nuk do të thotë të integrohesh, përkundrazi, ashtu siç e ka treguar kjo histori e shkurtër e kësaj marrwdhënie, mendoj se në fillim kjo marrwdhënie është zhvilluar në kuadrin e ekzotizmit. Ne ishim qenie ekzotike në sytë e perëndimit, duke qenë se për 50 vite ishim krejtësisht të mbyllur, brenda një guaske, ishim shumë të ngjashëm me qenie argëtuese. Dalëngadalë shtimi i kontakve, i aktiviteteve të përbashkëta, dha mundësinë për një njohje më të thellë të dyanshme dhe krijoi potencialet për një proces integrimi, që do të thotë jo thjesht të shkosh fizikisht atje, por të kesh aftësinë, mundësinë dhe të drejtën për më tepër, për të gjykuar. Kjo është e ndërsjelltë, në momentin që ne nuk e kemi të drejtën, mundësinë a potencialin për të gjykuar, për të qenë kritikw, jo thjeshtw për të pranuar a marrë diçka, nuk jemi të integruar absolutisht, jemi po aq periferikë, po aq të izoluar, sado që të na shtohet mundësia e kontakteve apo e udhëtimit.

Vetëm kur ne të arrijmë të analizojmë dhe zëri ynë të flasë jo thjeshtw për ne, por të japë opionione dhe për atë gjysmë që na vë kushte, ky është hapi i parë drejt një procesi integrimi. Puna e artistëve shqiptarë, të cilët përbëjnë bërthamën e njerëzve, të cilët e kanë përfaqësuar denjësisht pjesën e mirë të kombit tonë, është e ndërtuar pikërisht mbi këto parametra, nuk është thjesht e njëanshme. Nuk flet për një realitet të izoluar shqiptar, që është bukur ta dish, por është shumë mirë e integruar në problemet që kjo kulturë, ky territor has në përballjen me kulturën dhe territorin e vendeve ku ata jetojnë dhe punojnë.

Ju jeni kurator prej vitesh, pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare ku mbani kontaktet, merrni informacione që kanë vende të ndryshme, mbi këtë arsye keni ngritur qysh më ’98-wn Bienalen e Tiranës. A e ka justifikuar kjo veprimtari synimin integrues, si hallkë njohje dhe komunikimi evropian?

Bienalja ka lindur vetëm për hir të dëshirës dhe domosdoshmërisë për integrim. Çfarë është Bienalja e Tiranës në vetvete - është thjeshtw një platformë, e cila ofron mundësinë, potencialet dhe të drejtën e shkëmbimit. Gjithë ato elemente që përmenda pak më parë, Bienalja është një platformë që siguron bazën ku ftohen artistë shqiptarë e të huaj, të cilët kanë të njëjtën të drejtë qytetarie dhe fjale për të komentuar në një gjuhë estetike, në artet pamore. Por kuptohet që çdo platformë integrimi, si fillim, has rezitencë shumë të fortë. Të mos harrojmë që vijmë nga një trashëgimi izolimi shumë e gjatë, nga ajo më e egra, e komunizmit. Por, edhe përpara kësaj periudhe, natyrisht që Shqipëria ka qenë një vend shumë i varfër, shumë i vogël, shumë i izoluar. Ndaj është normale që platforma të tilla me një mendësi shumë të hapur, në përballjen e ideve, provokimin e debatit, provokimin e bisedës etj., siç është Bienalja e Tiranës, të hasë në një rezistencë që të mos pranohet fillimisht. Pavarwsisht se nuk është e lehtë të përballesh me këto situata, jam i kënaqur, sepse është një histori, përvojë që duhet patjetër ta kalojmë.

Bienalja ka çarë me shumë ngulm rrugën e saj dhe është stabilizuar si një nga platformat më të rëndësishme të këtij karakteri, të paktën në rajonin e Ballkanit, ku më e madhja është Bienalja e Stambollit, që është shumë më e vjetër. Por komentet e ndryshme që mund të hasësh në arenën ndërkombëtare vlerësojnë si rivale të Stambollit Bienalen e Tiranës. Kjo, natyrisht funksionon dhe në planin “diplomatik kulturor”, sepse punën që bën kjo Bienale nuk ka ministri turizmi apo politikë qeveritare të deritanishme që ta bëjë. Po të shohim veç dosjen e shtypit të Bienales ka disa gazeta evropiane që kanë shkruar për këtë fakt, ku është arti që po ndryshon imazhin e Shqipërisë.

Po eksperienca juaj si kurator ku keni marrë pjesë në disa aktivitete evropiane..

Kjo është një ekspoeriencë personale që nuk ka të bëjë shumë me integrimin. Vjen një moment në të cilin ata nuk duan t’ja dijnë më nëse ti je shqiptar. Sepse përvoja si kurator jashtë Shqipërisë, është se nuk punoj më me artistë shqiptarë, por punoj me artistë nga e gjitha bota. Ky është momenti ku kapërcehet limiti personal, nuk ka më kufinj gjeografikë.

Ekziston një paradoks, që disa artistë të arteve pamore këtu në Shqipëri veprat nuk u qëndrojnë në raport me komunitetin, kurse jashtë ata thithen menjëherë, integrimi i tyre bëhet më i thjeshtë...ç’është ky fenomen?

Nuk është tamam kështu. Problemi i marrdhënies artist-publik në sferën e arteve pamore është një problem global, që ndjehet nga të gjithë kudo në botë, për arsye se trashëgimia e arteve pamore deri në në fillimet e rendit kapitalist në botë, indifikohej me dy disiplina piktura dhe skulptura dhe këto konsideroheshin si arte elitare. Nuk ishin përmasë të madhe, natyrisht që nga ai moment, gati 200 vjet më parë, ka ndryshime të papërshkrueshme në këtë pikë, sepse kufinjtë e operacionit dhe mjeteve shprehëse për artistët pamorë janë hequr. Gjuha shpesh që ata zgjedhin është shumë e ndryshme, përdoret gjithçka. Megjithatë sfera e operimit është një nga sferat “elitare” sepse mbetet ngushtësisht e lidhur me hapësira specifike siç është muzeu, galeritë etj që janë më fleksibël por pra mbeten institucionet brenda një kuadri të caktuar.

Nuk diskutohet që raporti i marrëdhënies mes artistit dhe publikut është krejtësisht i ndryshëm në Shqipëri dhe krejt i ndryshëm jashtë saj. Por, prap dhe atje është raport problematik. Natyrisht që andej strukturat shtetërore, institucionale dhe qytetare funksionojnë shumë mirë. Interesat e shtresave të ndryshme shtrihen e shpërndahen në mënyrë më propocionale. Në Shqipëri, ky është një proces ende në zhvillim, dhe është më se e kuptueshme që publiku është më i kufizuar.

Përsa i përket vlerësimit, për vlerat, ka vepra që mendoj, se nuk ka kontradiktë apo ndonjë ndryshim mes njohjes dhe shquarjes së këtyre vlerave brenda Shqipërisë dhe shquarjes së këtij artisti jashtë Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve, aktiviteve të karakterit si Bienalja, apo Onufri që janë platforma që ofrojnë shkëmbimin e vlerave, ideve dhe gjykimeve kanë bërë një punë shumë të madhe për ndërrimin e sistemeve të referencave, që do të thotë se deri nga mesi i viteve ’90, me ngulm u mbajt qerthulli i pikave të referimit për t’u krahasuar; “unë jam më i madhi dhe se nuk ka njeri për t’u krahasuar”. Pas mesit të viteve ’90 u bë hapja dhe krahasimi me vendet e pikave të reja të referimit që janë jashtë Shqipërisë, ajo që kishte munguar për 50 vite me radhë, ku ne asnjëherë nuk e kishim patur mundësinë të shikonim se çfarë ndodh dhe të krahasoheshim se ku jemi. Thuhej ndodh, dhe ndodh akoma më shumë gjatë kësaj kohë gjë. Kjo ka bërë të mundur që një artist, i cili është i mirë në Shqipëri, është i mirë dhe jashtë.

Zakonisht ndryshimet e rrymave në Evropë kanë ardhur si rezultat i grupimi artistësh që thyejnë tabutë. Sa është e domosodshme që të hyjë një frymë e tillë manifestesh në vendin tonë, a është koha?

Një frymë e tillë është jashtëzakonisht e domosdoshme. Ka një ndryshim që sot ka kaluar koha e avangadrave dhe e lëvizjeve radikale, sepse të jesh i tillë sot është shumë e vështirë. Problemi është se radikalizmi si gjithë format e tjera protestuese është integruar në sistemin e tregut. Problemi kryesor që ka bota sot është se dominohet nga ekonomia kapitaliste, e tregut të lirë, që nuk pyet aboslutisht se çfarë mendon ti si individ, apo çfarë qëndrimi ke ti. Kapitalizmi ka interes që kapitali të shtohet dhe të riqarkullojë dhe në këtë formë dhe ato më radikale që kanë ekzistuar ndonjëherë ata i kanë marrë dhe i kanë integruar brenda tyre. Ndoshta në Shqipëri nuk ka problem për radikalizma të tillë, por ajo që është e domosdoshme është që këtu të ketë reagim.

Si pikë e dytë në debat kishte të bënte me rolin e shtetit në integrimin evropian. Sa ndikon kjo ndërhyrje?

Mbështetja e shtetit është pjesë e këtij reagimi të përgjithshëm që e thashë më lart, që është e domosdoshme për t’u mbledhur. Pa u mbledhur dhe bashkuar zërin tonë, pa krijuar një forum nuk mund të themi se po ecim në drejtimin e duhur. Këtu ka disa organizma që janë në vend të shoqatave, dhe nuk është puna që këto organizma të krijojnë protesta, por forume që të diskutojnë probleme me të cilat përballemi. Vetëm në këtë mënyrë, duke ngritur zërin, duke bërë një gjë të dukshme mund t’i dilet shtetit përpara dhe ai të reagojë. Kjo është nga përvoja ime personale, ku në dy edicionet e para Bienalja është injoruar totalisht, hapur dhe drejtpërdrejt. Në këtë edicion nuk është injoruar më sepse Ministria është bërë koshiente që Bienalja është një forcë serioze me të cilën duhet të përballen. Kjo ka ardhur me këmbënguljen. E njëjta gjë duhet bërë për të ndryshuar një situatë të përgjithshme, që do të ndihmojë me krijimin e atyre, të cilësuar si politika kulturore. Shteti nuk duhet t’i japë lekë këtij apo atij, por duhet të caktojë një politikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›