E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët zhyten në borxhe për të pasuruar Berishën dhe klanin e tij

Bode justifikohet për marrjen  e kredisë me FMN dhe Bankën Botërore
Qeveria shqiptare e vlerëson si arritje kredinë e marrë me interesa 11 përqind për financimin e rrugës Durrës-Kukës. Ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode,  që ka prezantuar si sukses firmosjen e kredisë sindikale prej 250 milionë eurosh për financimin e nevojave të buxhetit të shtetit. Ministri Bode e ka cilësuar një sukses, pasi reflekton besimin që ekonomia shqiptare iu ofron bankave ndërkombëtare, kjo në kushtet e një krize botërore. Në fakt, kushtet e kësaj kredie janë shumë skllavëruese për ekonominë shqiptare, duke llogaritur faktin që qeveria merr një kredi për të paguar shtesat e rrogave dhe pensioneve para fushatës elektorale. Papërgjegjshëmria e qeverisë shqiptare konsiston në faktin që përdorimi i këtij borxhi po pasuron firmat e huaj siç është rasti i kompanisë Bechtel&Enka, të cilat kanë marrë punime me çmime marramendëse. Dihet shumë mirë që nga një metër kub beton i cili në tregun shqiptar koston rreth 70 deri në 90 euro, kjo kompani ja faturon shtetit shqiptar me vlerën nga 600 deri në 700 euro metrin kub. Bëhet llogari qartë se ku shkojnë paratë e shqiptarëve dhe si po i grabit qeveria e antikorrupsionit Berisha. Ndërkohë që rruga patriotike e Sali Berishës ndërtohet, klika qeveritare pasurohet në kurriz të shqiptarëve duke i varfëruar çdo ditë e më shumë. Gjatë ditës së djeshme ministri i Finanacave Bode, dha  arsyet se pse qeveria mori këtë kredi me interesin më të lartë në historinë e financave shqiptare. Është një injektim që i bëhet tregut. Kredia përbën garanci për stabilitetin e kursit të këmbimit, duke furnizuar tregun me likuiditet. Sigurisht që marrja e një kredie ndërkombëtare nga bankat europiane dhe bankat e vendeve të tjera, përbën një sukses për ekonominë shqiptare. Qeveria shqiptare mundësoi përmes raporteve dhe besueshmërisë që ka shfaqur me partnerë të tillë seriozë ndërkombëtarë si Deutsche Bank dhe Alpha Bank, që drejtuan procesin e kontraktimit të kësaj kredie, që të financojë në këtë vit të krizës financiare ndërkombëtare dhe krizës globale, të ekonominë shqiptare, të importojë e të injektojë në ekonominë shqiptare një shumë prej rreth 250 milion eurosh si kufirin maksimal. Ka shumë vende të tjera të rajonit tonë, vende në tranzicion, të cilët kanë kërkuar kredi edhe me 20 % apo 23 % dhe nuk kanë mundur dot të kontraktojnë, për arsye se ekonomitë respektive nuk japin besueshmëri tek bankat për të dhënë kredi. Edhe në tregun ndërkombëtar, edhe vende të tjera të zhvilluara, sigurisht që marrin sot bono thesari me interesi sa dyfishi i dy viteve më parë, veçoi ai. Ndër të tjera, Bode theksoi se marrja e kredisë është diskutuar edhe me FMN dhe Bankën Botërore, të cilat e kanë cilësuar si sukses. Kredia është diskutuar edhe me FMN- në dhe me BB- në. Sugjerimi i tyre ka qenë që e rëndësishme sot është që ju në qoftë se do të arrini të merrni kredi në tregun ndërkombëtar, përbën një sukses shumë të madh. Nuk ka rëndësi norma e interesit me të cilën do e merrni pasi sot nuk ofrohen para, nënvizoi ministri. Numri 1 i Financave sqaroi se kredia prej 250 milionë eurosh merret kundrejt një norme interesi variabël 9,65 për qind plus Euribor, dhe afat shlyerje 3-vjeçar. Por nëse tregu ndërkombëtar do të ofrojë norma më të favorshme interesi, pas vitit të parë, Shqipëria mund ta prishë kontratën, pa asnjë penalitet. Për ministrin Bode hedhja në treg e një sasie të tillë valute, mes të tjerash, do të ndikojë në stabiliteitn e çmimeve dhe të kursit të këmbimit mes monedhës vendase dhe euros. E rëndësishme është që ne injektojmë në ekonominë shqiptare, në mbështetje të stabilitetit monetar të vendit Euro-n e cila është monedhë e fortë dhe garanton stabilitetin e kursit të këmbimit, që për një ekonomi si Shqipëria e lidhur fort me tregtinë ndërkombëtare do të thotë stabilitet në çmime dhe mirëqenie, theksoi ai. Deklaratat u bënë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së garancisë me Bankën Botërore për shitjen e OSSH. Kreu i Financave deklaroi se brenda këtij muaji, buxhetit të shtetit do ti shtohen edhe mëse 100 milionë euro nga privatizimi i OSSH-së. Edhe një herë ministri Bode ka garantuar se qeveria do të bëjë çështë e mundur që Shqipëria të mbetet jashtë vorbullës së krizës ekonomike. Ne mundëm që të sigurojmë këtë kredi dhe shpresoj që ky është një lajm i mirë sikurse dhe privatizimi që deklaruam sot, sikurse dhe disa privatizime të tjera më të vogla dhe që i japin mundësi Shqipërisë që edhe në këtë vit të krizës financiare botërore, ne të mund të injektojmë valutë mbi 500 milion euro në tregun e brendshëm dhe ekonominë shqiptare. Kjo është një mbështetje e madhe në funksion të rritjes së shpejtë ekonomike. Nuk ka çmim më të madh se sa rënia ekonomike, se sa varfërimi i shqiptarëve dhe se sa futja e ekonomisë shqiptare në krizë. Dhe ne do të bëjmë çështë e mundur që ekonomia shqiptare të mbetet jashtë vorbullës së krizës, përfundoi ministri i Financave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›