“Shqiptarëve po u mohohet realizimi i ëndrrës për anëtarësim në BE”
Nxënës dhe studentë nga e gjithë Shqipëria vizitojnë Kuvendin e Shqipërisë në 100-vjetorin e Pavarësisë
Kuvendi i Shqipërisë, shtëpia e të gjithë shqiptarëve, në kuadër të kremtimeve për jubileun e 100-vjetorit të Pavarësisë vijon të vizitohet nga nxënës e studentë nga e gjithë Shqipëria. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua të dielën me mbi 200 nxënës dhe studentë, të cilët në këtë përvjetor historik, kanë mundësinë të njihen nga afër me Parlamentin, si forumi më i lartë i demokracisë. Topalli ndau me të rinjtë mbresat e saj në këtë 100-vjetor, si dhe iu përgjigj interesit të tyre në lidhje me debatin politik, procesin ligjvënës, etj. “Parlamenti është vendi për të bërë debat, për të ngritur zërin, për të kundërshtuar diku dhe për të mbrojtur diku. Të drejtosh Parlamentin është sfidë, është e vështirë, por është shumë interesante”, theksoi ajo. Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se tradita parlamentare në Shqipëri është relativisht e re, por gjithsesi e pasur. “Duke lexuar bisedimet parlamentare të viteve ‘20-të vihet re se ato janë perla. Në atë kohë deputetët vinin nga elitat e shoqërisë. Sigurisht që kritikojnë, sepse opozitë ka pasur edhe në atë kohë, por ka një ironi dhe sarkazëm elegante në diskutimin e tyre sa nuk të besohet. Kundërshtojnë, thonë atë që mendojnë, por këtë e bëjnë në mënyrë elegante”, u shpreh Topalli. Duke u ndalur në etapat e rëndësishme nëpër të cilat Shqipëria ka kaluar 100 vjet nga shpallja e Pavarësisë, kryetarja e Kuvendit nënvizoi se rritja e përfaqësimit të grave në politikë dhe vendimmarrje është një ndër arritjet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. “Përfaqësimi i grave në Parlament është një çështje e së drejtës. Janë gratë ato që mbajnë barrën më të madhe të përgjegjësive duke bërë të mundur që shoqëria të ecë përpara, prandaj është normale që ato të kenë një përfaqësim të lartë në politikë dhe vendimmarrje”, theksoi kryeparlamentarja. Ajo sërish i shprehu keqardhje për faktin që opozita vijon të bllokojë miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që janë konsideruar si ligjet e integrimit. Topalli theksoi se shqiptarët në këtë moment historik janë shumë pranë realizimit të ëndrrës së tyre më të madhe: anëtarësimit në BE. “Shqiptarëve po u mohohet e drejta e realizimit të ëndrrës së tyre të hershme për anëtarësim në BE, por askush nuk përfiton nga mosvotimi i ligjeve të integrimit”, theksoi kryetarja e Kuvendit në takim me të rinjtë.
...