Dheu zë poshtë 4 punëtorë, 3 në gjendje të rëndë
Katër persona që ishin duke punuar për hapjen e një kanali për kompleksin e paraburgimit që po ndërtohet në Metalurgji të Elbasanit, janë plagosur rëndë si pasojë e një shembjeje dheu. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14:45, në afërsi të impiantit të ri të paraburgimit në Metalurgji. Si pasojë e shembjes së tokës janë plagosur rëndë Halil Dollapi 34 vjeç, nga Tirana, Bedri Lleshi 32 vjeç nga Fushë-Mbreti Elbasan, Fatjon Gjata nga Tirana dhe një shok i tyre po nga kryeqyteti, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shokët e tjerë dhe punëtorë të firmës “Kurum” u kanë dhënë atyre ndihmën e parë duke i nxjerrë nga dheu që i kishte zënë poshtë. Ata janë dërguar menjëherë në spitalin e Elbasanit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar policia, ekspertët dhe grupi hetimor. Sipas të dhënave paraprake rezulton se punëtorët kanë qenë duke hapur një kanal rreth 3 m të thellë bashkë me mjete gërmuese për llogari të një firme, e cila po merret me ndërtimin e godinave të paraburgimit në Elbasan. Ndërkohë që për shkak të përbërjes së paqëndrueshme të tokës në këtë vend, masa e dheut është shembur dhe i ka zënë të papërgatitur të katër poshtë saj. Spitali i Elbasanit ka marrë menjëherë masat për t’u dhënë ndihmën e nevojshme të plagosurve. Sipas mjekëve, punëtorët kanë pësuar dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, si shembje, trauma e hematoma, e do të duhet ende kohë për të dalë në një konkluzion përfundimtar. Grupi hetimor që shkoi në vendin e ngjarjes, konkludoi se ngjarja ka ndodhur në mënyrë aksidentale. Megjithatë, çështja është nën hetim edhe për të provuar nëse ishin marrë më parë masat e sigurimit teknik në punë. F.S.