Telefonata e fundit e të zhdukurit: Jam goditur me gur në kokë, njoftoni policinë
Zhdukja misterioze e Eldi Metushajt/ Prej 6 ditësh asnjë gjurmë nga i riu. Daja rrëfen zhdukjen dhe telefonatën e fundit të nipit. Familjarët: Shteti të na ndihmojë për gjetjen e Eldit
Gjirokastër - Eldi Metushaj është zhdukur prej së shtunës në mëngjes, kur në telefon i ka thënë djalit të xhaxhait të njoftonte policinë greke se ai ishte goditur me gur në kokë dhe i duhej ndihmë. Familjarët thonë se ai po kalonte kufirin për të shkuar në Greqi ilegalisht, i refuzuar në doganë si i shpallur nongrata në vendin fqinj. Të afërmit e 23-vjeçarit nga Vlora, Eldi Metushaj, i zhdukur prej gjashtë ditësh në zonën kufitare të Kakavijës, kanë vijuar kërkimet për gjetjen e ndonjë gjurme nga i afërmi i tyre. Pas denoncimit të familjarëve, kërkime për të rënë në gjurmë të 23-vjeçarit ka nisur edhe policia e Gjirokastrës. Familjarët e tij i kanë bërë apel shtetit që t’i ndihmojë për gjetjen e 23-vjeçarit. Në një intervistë, daja i të zhdukurit, Zamir Kapllanaj kërkon mbështetjen e institucioneve shtetërore shqiptare dhe greke, në mënyrë që Eldi 23-vjeçar të kthehet sa më shpejt pranë familjarëve dhe të afërmve të tij.
Kur e patët kontaktin e fundit me Eldin?
Javën e kaluar ai ishte nisur nga Vlora për të udhëtuar për në Greqi nëpërmjet doganës së Kakavijës. Eldi kishte punuar për pesë vite rresht në Greqi dhe dëshironte të rikthehej sërish, kësaj radhe i pajisur edhe me dokumente. Siç dimë, pasi kaloi doganën shqiptare ai u kthye mbrapsht nga policia greke me pretendimin se ishte shpallur person i padëshiruar në Greqi, pasi ishte ndaluar një herë nga policia si klandestin. Pasi u rikthye në tokën shqiptare, ai i nisi çantën dhe dokumentet me autobus për t’i marrë më pas djali i xhaxhait të tij në Sarandë. Gjatë një telefonate të bërë ditën e premte, ai na tha se do të rikthehej sërish në Greqi, por kësaj radhe me këmbë nga kufiri. Ndërkohë që në orën 2 të mëngjesit, ai ka marrë djalin e xhaxhait në telefon dhe i ka thënë që të njoftojë policinë greke që ta marrë, pasi është goditur me gur në kokë. Kjo ka qenë telefonata e fundit që kemi pasur me të.
Si vepruat ju pas telefonatës së fundit ?
Siguruam numrin e kontaktit të policisë së Janinës dhe kërkuam prej tyre që t’i vinin në ndihmë të afërmit tonë. Gjatë gjithë ditës së shtunë dhe të diel policia greke ka kontrolluar terrenin fare pranë kufirit ku dyshohej se mund të ndodhej Eldi, por nuk ka gjetur asnjë gjurmë të tij, ndërkohë që telefoni i Eldit vazhdon të jetë i mbyllur duke e bërë të pamundur komunikimin me të. Pasi qëndruam disa ditë pa pasur kontakte, vendosëm ta denoncojmë humbjen e tij edhe në policinë e Gjirokastrës.
Çfarë mendoni të bëni më tej?
Krahas kërkimit të Eldit nga të dyja policitë, shqiptare dhe greke, ne kemi vijuar edhe kërkimet privatisht. Gjatë ditës së martë dhe të mërkurë kemi kontrolluar në dy spitalet e Janinës për të gjetur ndonjë gjurmë të tij, por sërish asgjë. Kërkojmë që shteti të na ndihmojë për gjetjen e të afërmit tonë, në mënyrë që Eldi të kthehet sa më shpejt pranë nesh.