E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari i penduar dëshmon për FBI-në

Xhoni Gotti (Gotti Junior) doli para gjyqit në Nju Jork i akuzuar për një seri vrasjesh të hetuara nga FBI-ja në pesë vjet. Seancat e gjyqit përmbajnë skena humori, brutalitet, horror, si edhe zbulime të papritura. Biri i Don Teflon është tradhtuar nga John Alite, një kriminel shqiptar, i cili para dëshmisë ka pranuar se ka qenë një nga shokët më të ngushtë të të pandehurit Gotti. Kodi i fshehtë i mafies, "Omerta", duket se nuk ka qenë një garanci e mjaftueshme që Alite të mos i dëshmojë krimet. Në tradhti mahnitëse të kodit mafioz, shqiptari i akuzuar edhe ai për disa krime çnjerëzore "këndon si kanarinë" në gjyq. Ai ka shpalosur detaje të pafundme të vrasjeve e krimeve që rëndojnë mbi bandën mafioze dhe kreun e saj Gotti Junior. Shqiptari rrëfeu piknikët e mafiozit dhe gëzimin e tij të pafund mes dhjetëra vrasjeve. "Gotti ishte bosi im, ne kemi bashkëpunuar në tri vrasje", filloi dëshminë e tij shqiptari. Ai dha detaje se si trupi i një viktime ishte vendosur mbi një makinë, ndërsa një i vrarë tjetër ishte lidhur në një pemë. Dëshmitari tregoi se në vitin 1988, pas vrasjes së shpërndarësit të drogës Xhorxh Grosso, disa orë më vonë, me urdhër të shefave ishte kthyer në vendin e ngjarjes për të parë nëse viktima kishte vdekur apo jo. Gotti kishte bërë shaka, pasi anëtarët e klanit të tij kishin parë trupin e pajetë. Brutalitete të ngjashme nga i akuzuari kryesor janë treguar edhe nga dëshmitari tjetër, Kevin Bonner. Ekspertët në SHBA po e shikojnë me shqetësim interesin e madh publik për gjyqe të tilla. Ata thonë se kjo tendencë mund të jetë frymëzuar nga serialet e filmave mafiozë si "Sporanot", "Kumbari" apo "Goodfeather", ku personazhet shfaqen me një jetë luksi, veshje të shtrenjta dhe femra mahnitëse. Por dëshmitari shqiptar Alite ka dëshmuar se ata ishin trajtuar vërtet si të famshëm. Ai ka përshkruar se si qindra mijëra dollarë u prodhuan nga krimi, për financimin e jetesës së anëtarëve të klanit dhe kapos së tij. "Kur shkoja në restorante, kur shkoja në shfaqje, kam marrë vendet më të mira, jemi trajtuar si të famshëm", tha Alite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›