E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptari, martesë me gjyshen për dokumente

Në Itali

Ai është një klandestin 31-vjeçar, ndërsa ajo, gjyshja e tij në moshë, me rezidencë në Firence. Deshën të martohen, por në bazë të dashurisë së tyre nuk ishin ndjenjat, por premtimi i 3000 eurove që shqiptari do t’i jepte të moshuarës vetëm e vetëm që prej saj të përfitonte dokumentet e rregullta italiane. Në këtë mënyrë e ka përshkruar ngjarjen më të fundit në Firence të Italisë agjencia e lajmeve “Corriere Fiorentino”, e cila në ditë më parë ka bërë publik një nga rastet më ordinerë ku shqiptarët martohen me më të vjetra në moshë për të përfituar qëndrimin në vendet e huaja. Sipas raportimit të policisë vendase për agjencinë e lajmeve, mësohet se gjithçka është zbuluar falë sinjalizimit të Zyrës së Martesave së Komunës së Firences, ku çifti kishte depozituar një kërkesë për shpalljen e datës së martesës. Një gjë e tillë ka befasuar nëpunësit e gjendjes civile të cilët kanë parë diferencën e moshës.

Ndërkohë, kur ata janë paraqitur në kuesturë për të bërë praktikat e dokumenteve të lejes së qëndrimit, policia i ka komunikuar shqiptarit se për të kishte një mandat për riatdhesimin e tij pasi në shtetin italian nuk dispononte asnjë dokument të vlefshëm. Pasi ka dëgjuar një gjë të tillë, gruaja 61-vjeçare i ka dhënë mbrapsht 1500 euro të cilat ai ia kishte dhënë si kapar për martesën me të, dhe që i ka kërkuar policisë ndihmë për të kthyer gjithashtu mbrapsht procedurat e bashkimit martesor.

Tashmë shqiptari duhet të përgjigjet për mashtrim ndaj akteve publike, ndërsa gruaja për favorizim të mashtrimit të tij. Ndërkohë, policia italiane tha se 31-vjeçari është shoqëruar në bazën e klandestinëve në Bari nga ku pritet të riatdhesohet në Shqipëri.

Pas kësaj, policia e Firences ka bërë me dije se nën hetim është vënë dhe një zyrë martesash e cila dyshohet se ka lidhur me dhjetëra raste me emigrantë që nuk e kanë për gjë të shpallin martesa me gra më të vjetra në moshë vetëm e vetëm për të përfituar dokumente italiane. Veç kësaj, autoritetet policore i kanë kërkuar zyrtarisht përfaqësuesve të komunave në provincat që kanë nën administrim si dhe zyrave të tjera martesore t’u japin listën me emrat e dyshuar që kanë bërë manovra të tilla për të marrë leje qëndrimi në Itali.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›