“Shkrihet” policia e Gjirokastrës, ndryshojnë krerët e komisariatit
Ndryshimet nga kreu i Policisë së Shtetit, Prençi
Motivacioni: Për t’i dhënë impuls të ri punës
Duket se ka tërhequr “këmbën zvarrë” kur një muaj më parë ish-kreu i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Hysni Burgaj, do të linte detyrën për t’u emëruar si zv.drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Shërbimet Mbështetëse në kryeqytet. Por në fakt, nuk ka ndodhur kështu për ish-vartësit e tij në qytetin e “gurtë”. Duke filluar nga zv.drejtori, shefi i komisariatit e deri tek shefi i qarkullimit rrugor, kanë lënë këto detyra për t’u zëvendësuar me emra të tjerë drejtuesish ndër radhët e uniformave blu.
Ndërkohë që ish-krerët e Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës janë emëruar në poste të tjera, që ndonëse analoge me atë çka bënin deri më dje, tashmë do të punojnë në qytete të tjera të vendit.
Ndryshimet janë konfirmuar një ditë më parë nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Këto emërime janë kryer në kuadër të menaxhimit të strukturave të Policisë së Shtetit për t’i dhënë një impuls të ri punës së këtyre strukturave.
Dhe në fakt, ka qenë drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, që ka emëruar në detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër, Drejtuesin e Parë, Arben Hysenaj, i cili më parë kryente detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan. Kjo, pasi vendi i drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër ishte vakant, pasi ish-drejtori, Hysni Burgaj, është emëruar para një muaji si zv.drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Sakaq, Drejtues Ylli Metko, që më parë kryente detyrën e zv.drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër, është zv.drejtorit të Policisë së Qarkut Gjirokastër është emëruar Drejtues Halit Murati, i cili më parë kryente detyrën e zv.drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë.
Po kështu, ndryshimet kanë prekur edhe postin e shefit të komisariatit të Policisë së qytetit jugor, ku me urdhër të Prençit dje është emëruar Kryekomisar Nazmi Shuli, i cili më parë kryente detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Laç. Ndërsa Komisar Artan Osmani, që më parë kryente detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, është emëruar shef i Komisariatit të Policisë Laç.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, shef i Qarkullimit Rrugor është emëruar Komisar Blerim Laçi, ndërkohë që shefi i Qarkullimit Rrugor Gjirokastër është emëruar shef i Qarkullimit Rrugor në Përmet.
Rokada e ndryshimeve në një nga rrethet më problematike të vendit për sa i përket kultivimit të bimëve narkotike, do të niste më 29 korrik të këtij viti, ku në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u prezantua zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë për Shërbimet Mbështetëse, Hysni Burgaj. Emërimi i tij në këtë post u bë pas emërimit në një detyrë tjetër disa kohë më parë të Arben Doçit. Prezantimi i zëvendësdrejtorit Burgaj u bë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, i cili pasi e përgëzoi për detyrën e re, vlerësoi punën e bërë deri tani nga Burgaj në postet e mëparshme.
Me një karrierë të gjatë në të gjitha nivelet e Policisë së Shtetit, duke qenë drejtor i Policisë së Qarkut Kukës dhe së fundmi drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Hysni Burgaj do t’ia linte vendin zv.drejtorit të komanduar në Gjirokastër, Ylli Metkos.
Ndryshimet :
Arben Hysenaj, drejtor i Policisë së Gjirokastrës, më parë, drejtor në Elbasan, në vend të tij, Hamdi Fiore, aktualisht edhe drejtor i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë
Ylli Metko, zv.drejtor i Policisë së Elbasanit, më parë, zv.drejtor në Gjirokastër
Halit Murati, zv.drejtor i Policisë së Gjirokastrës, më parë, zv.drejtor në Vlorë
Nazmi Shuli, shef i Komisariatit të Gjirokastrës, më parë, shef Komisariati në Laç
Artan Osmani, shef i Komisariatit në Laç, më parë, shef Komisariati në Gjirokastër
Blerim Laçi, shef i Qarkullimit Rrugor në Gjirokastër
Gjylani Shehu, shef i Qarkullimit Rrugor në Përmet, më parë, shefi i Qarkullimit në Gjirokastër
Hysni Burgaj, zv.drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Shërbimet Mbështetëse, më parë, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër