E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri mes shokësh, granata plagos tre

 

VLORE - Sherri në gjendje të dehur mes gjashtë shokëve përfundoi me shpërthimin e një granate ofensive dhe plagosjen e tre prej tyre. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30 të së premtes në qytezën e Selenicës në Vlorë, kur djemtë pas sharjeve e fyerjeve u ndanë në dy grupe rivalësh. Sipas policisë, konflikti nisi kur të rinjtë kanë qenë duke pirë në një lokal. Në gjendje të dehur ata kanë nisur të kapen fillimisht me fjalë. Fyerjet mes tyre kanë degjeneruar deri me grushte e shkelma. Më pas, njëri prej personave që ishte përfshirë në konflikt, në momentin kur pala kundërshtare po dilte nga lokali ka nxjerrë një granatë dhe e ka hedhur atë. Nga shpërthimi mbetën të plagosur Ervis Alushi, Gentian Abazi dhe Edison Ademi. Pasi kanë kryer këtë veprim, pala e autorëve Mikel Harizaj, vëllai i tij Agim Harizaj dhe Romeo Rustemi janë larguar. Të plagosurit u çuan në spitalin e Vlorës dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut. Policia arrestoi Agim Harizaj. Ndërsa për vëllanë tjetër dhe të afërmin e tyre Romeo Rustemi është ngritur një operacion në të gjithë zonën për arrestimin e tyre. Policia bëri të ditur se ka gjetur të braktisur automjetin e të arratisurve, një "Mercedes Benz" 200 pa targa në fshatin Rroms, vetëm pak kilometra ku ndodhi ngjarja.            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›