E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari më i ri në moshë në Lojërat Olimpike, notari 16-vjeçar Hoxha, i dyti në baterinë e pestë

Autori i Lajmit: red.
Olimpisti shqiptar më i ri në moshë në Lojërat Olimpike, notari 16-vjeçar Sidni Hoxha, u rendit i dyti nga tetë garuesit në baterinë e pestë eliminatore dhe i 63-ti nga 97 pjesëmarrës (të ndarë në fazën kualifikuese në 13 bateri). Ajo që vlen më shumë është fakti se Hoxha vendosi një rekord të ri kombëtar në garën e 50 metrave stil i lirë për pishina të mbyllura, duke përmirësuar me gati 1 sekondë rekordin. Sidni Hoxha, i cili në Kampionatin Botëror të Mançesterit (2008) kishte kapur kohën 24”86, në “Pekin 2008” ndali kronometrin në 24”56 sekonda, një përmirësim me 30 të qindtat. Hoxha, i cili për herë të parë mori pjesë në Lojërat Olimpike, kishte deklaruar para nisjes për në Kinë se synonte përmirësimin e rekordit kombëtar, çka dhe ia arriti. Vendin e parë në baterinë e pestë, ku dhe konkurroi Hoxha, e zuri kamerunasi Alen Brizhion me kohën 24”83, pra vetëm 3 të qindtat më mirë se notari ynë. Hoxha la pas në baterinë e tij notarë nga Zambia, Pakistani, Bregu i Fildishtë, Botsvana, Turkmenistani. Duhet theksuar një fakt se notari i “Tirana Delfina Sport”, ishte një ndër tre notarët më të rinj në moshë nga 97 pjesëmarrësit dhe shpresat për një sportist të madh shqiptar në të ardhmen duken se janë të mëdha. Medaljen e artë në 50 metra stil i lirë e fitoi francezi 22-vjeçar Amori Levo me kohën 21”46. Argjendi i takoi brazilianit Sezar Filho Sielo (21”47) dhe ajo e bronzit amerikanit Ben Uildman (21 75).
Guri, midis tetë më të mirëve të globit
Emocione kuqezi në “Pekin 2008”. Mundësi shqiptar Elis Guri u rendit me meritë midis tetë më të mirëve të planetit në peshën deri 96 kg në mundjen greko-romake, edhe pse i pati të gjitha mundësitë të futej edhe në zonën e medaljeve. Ai arriti të fitojë me një nga më të fortët e Olimpiadës në peshën e tij, pasi ai ishte kampioni në fuqi olimpik”, - tha nga Pekini, Fidel Ylli, shefi i delegacionit olimpik shqiptar. Në çerekfinale Guri, i veshur kësaj radhe me ngjyrë blu, u përball me mundësin gjerman, Mirko Engliq, takim që e humbi me rezultatin 2-1 (8:2 pikë teknike) Guri kreu disa kapje të cilësisë së lartë, por gaboi në një moment kur e kishte takimin në dorën e tij, duke e ngritur gjermanin peshë, por fatkeqësisht duke dalë jashtë rrethit, çka i hoqi shqiptarit të paktën 3 pikë, teksa i “dhuroi” Engliqit një pikë të çmuar. “Në takimin e dytë kundër gjermanit, pavarësisht se Elis Guri e humbi me short, pra u hodhën dy goglat dhe fati i tij i keq ishte se i ra ngjyra e kuqe. Elisi arriti gjithsesi në raundin e dytë, e ngriti në ajër gjermanin e nxori jashtë tapetit dhe e futi sërish brenda atë. Ishte një gabim i pafalshëm i tij, pasi pati shumë fuqi, por nuk arriti të kontrollojë veten ku ndodhej në tapet. Vetëm se shkeli pak vizën, atij nuk iu dhanë katër pikë. Nëse Elisi do të merrte ato pikë ndeshja do të mbyllej 2-0 dhe ne do të pretendonim për medalje të paktën të argjendtë”, - tha Ylli. Aventura e Gurit, fitues i medaljes së argjendtë në trofeun ndërkombëtar “Milone” (Itali, 2006), vazhdoi me sfidën në raundin e humbësve apo “repeshazh” kundër koreanojugorit Young Tae-Han, i cili nga ana e tij kishte humbur me gjermanin Engliq, por fatkqësisht, Elisi u mund me rezultatin 3-1, pavarësisht se të dy sportistët e patën mundësitë për ta fituar. Renditja e Gurit midis tetë më të mirëve të botës, është rezultati i dytë më mirë i arritur deri tani nga sportistët shqiptarë në “Pekin 2008”, duke pasur në konsideratë edhe vendin e gjashtë të arritur nga peshëngritësja Romela Begaj. “Elis Guri është një nga sportistët më të mëdhenj shqiptarë, jo vetëm se ka dalë i shtati në botë (në Azerbajxhan), por dhe këtu (në Kinë) është renditur në vendin e tetë. Ai është në një moshë mjaft të re”, - dha vlerësimin e tij Fidel
Ylli, edhe ky një ish-mundës i njohur. Medaljen e artë në këtë peshën 96 kg mundje greko-romake e fitoi rusi Aslanbek Kushtov, të argjendit gjermani Mirko Engliq (kundërshtari i Gurit), ndërsa dy medaljet e bronzit u ndanë midis kazakistanezit Aset Mambetov dhe amerikanit Adam Uiler. Mundja shqiptare do të përfaqësohet edhe me Said Prizrenin në stilin e lirë në peshën deri 65 kg. Fituesi i medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror të Bakut në Azerbajxhan (2007), do të garojë më 19 gusht dhe do të jetë edhe sportisti i fundit kuqezi që garon në kryeqytetin kinez. 25-vjeçari Prizreni është dhe shpresa e fundit e Shqipërisë për medalje në këtë Olimpiadë, pasi Prizreni vlerësohet nga të gjithë si favorit për medalje.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›