E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e dhunuar, denoncim në numrin 116

Autori i Lajmit: red.
Fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë nga muaji janar i vitit të ardhshëm do të mund t i denoncojnë rastet e abuzimit ndaj tyre në numrin 116, i njëjti numër që afrohet për këtë qëllim dhe nga vende të tjera të Evropës. Funksionimi i kësaj linje është një nismë e UNICEF-it dhe Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA). Linja Kombëtare e Fëmijëve do të hapet formalisht në shtator 2008 dhe në fillim të janarit të vitit të ardhshëm ajo do të jetë e gatshme që t u përgjigjet telefonatave të fëmijëve nga e gjithë Shqipëria në mënyrë të kualifikuar dhe pa pagesë, 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve të javës. Altin Hazizaj, drejtori i CRCA-së, tha se linja kombëtare do të jetë përgjegjëse për dhënien e shërbimeve në tre numra telefoni: 116000, 116111 dhe 116123 për të gjithë fëmijët që ndodhen në Shqipëri, pavarësisht nga kombësia e tyre. Ndërsa zv/ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kastriot Sulka, e cilësoi këtë nismë një risi që përkon me politikat e programit të Qeverisë dhe me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Fëmijëve dhe konventave ndërkombëtare. Në mesin e muajit qershor të këtij vitit Këshilli i Evropës çeli në Zagreb të Kroacisë fushatën kundër dhunës ndaj fëmijëve, një fushatë dyvjeçare, që synon të kriminalizojë qoftë dhe një shuplakë ndaj kësaj shtrese të shoqërisë.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›