Alarmi po vjen gripi australian
E gjithë bota këtë dimër kërcënohet nga pandemia e Gripit australian. Ky virus mund të mbërrijë edhe në vendin tonë. Alarmi ngrihet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka mbledhur përfaqësuesit e të gjithë vendeve në një konferencë të posaçme, për t’i paraprirë këtij rreziku. Sipas tyre, gripi australian po mësyn perëndimin dhe mund të shndërrohet në një shqetësim serioz, pasi në rast epidemie, sistemet sanitare mund të mos i bëjnë dot ballë. Epidemia rrezikon të jetë shumë më intensive sesa vitet e shkuara. Virusi paraqitet në tre forma dhe përhapet shumë shpejt mes njerëzve. Argumenti i Konferencës së Tretë Botërore mbi Gripin ishte pikërisht, se sa serioze do të jetë epidemia, në rast se nuk ndërhyhet në çdo fazë. Nëpër spitalet e vendeve të industrializuara parashikohet të paraqiten 57 deri në 132 milionë vetë që mund të preken nga virusi. Kategoritë më në risk janë të moshuarit, por specialistët këshillojnë kryerjen e vaksinave për fëmijët nën 6 muaj. Por ndërsa në vendet e tjera këto vaksina mund të sigurohen, tek ne gjithmonë mbërrijnë në momentin e fundit, ose nuk kanë pikën e efektit. Në konferencën e OBSH u bë me dije se virusi “Australian” mund të prekë edhe më shumë njerëz nga sa është llogaritur, pasi 3 format e tij nuk janë hasur asnjëherë më parë. Sipas specialistëve, pandemitë e gripit përsëriten një herë në 40 vjet. E fundit u shkaktua nga virusi kinez në vitin 1968, i cili shkaktoi 500 mijë të vdekur në të gjithë botën.