Marrëveshja, pacientë shqiptarë në Iran për transplant të palcës
Pacientët tanë do të mund të kryejnë transplanto të palcës në Iran. Kjo është vetëm një nga pikat e bashkëpunimit, i cili pritet të konkretizohet shumë shpejt. Pas ambasadorit Withers, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, priti dje në një takim ambasadorin e Iranit, Alibeman Eghbali Zarch. Ai bëri një pasqyrë të zhvillimeve teknologjike të vendit të tij, sidomos për zhvillimet në fushën e shëndetësisë. Ambasadori iranian, i propozoi ministres Godo, bashkëpunim në fusha të tilla si: Transplantet, ku Irani ka ecur me hapa shume të shpejtë dhe prodhimin e medikamenteve, me anë së të cilave mbuloheshin 97 % e nevojave të vendit. Propozim tjetër ishte edhe ai i prodhimit të medikamentit ‘Imod’, medikament ky kundra sëmundjes vdekjeprurëse AIDS, studimet e të cilit po bëhen ekskluzivisht në Iran. Ndërkaq, gjatë takimit u diskutua për hapjen e Klinikës së specializuar iraniane, e mbyllur për shkak te trazirave të vitit 1997, si edhe bashkëpunim universitar. Në këtë bashkëpunim, mund të ndihmohen studentët apo mjekët e rinj me një përvojë më të mirë e më të përparuar. Nga ana e saj, ministria Godo propozoi nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe në sajë të së cilës një grup pacientësh mund të trajtohen në Iran. Theksi u vu edhe në bashkëpunimin në fushën e farmaceutikës. Sipas ministres, tek ne prodhimi vendas është mjaft i dobët.