Denoncohet në polici greku, nuk ktheu borxhin
KORÇË - I kishte marrë 16 mijë dollarë borxh dhe prej tyre i kishte kthyer vetëm 8 mijë, duke mos qenë korrekt me pagesën e pjesës së mbetur. Për këtë arsye, personi që i kishte dhënë borxhin u detyrua ta denoncojë në polici. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtarë të Policisë së Korçës, sipas të cilave, personi i denoncuar është 72-vjeçari grek Christos Kostmidis, banues i përkohshëm në Korçë, pronar i një rrobaqepësie në këtë qytet. Mësohet se ai u denoncua nga 51-vjeçari Jorgaq Stoja, banues në qytetin e Korçës, i cili ka rrëfyer në Komisariatin e Policisë sesi greku i ka shlyer vetëm dy këste me nga 4000 dollarë dhe më pas nuk ka qenë i rregullt me pagesat, duke mos caktuar një datë fikse për shlyerjen e këtij detyrimi. Nga ana e tyre, forcat policore kryen veprimet hetimore procedurale në gjendje të lirë për veprën penale të “mashtrimit” për shtetasin grek, ndërsa materialet i kalojnë Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
Makina bie në humnerë, vdes kalimtari
SARANDË - Aksident i rëndë në hyrje të Sarandës. Një makinë tip “Benz” me targë SR 1822 B, që ishte duke udhëtuar në drejtim të Ksamilit me drejtues shtetasin Zenun Mero, 60 vjeç, banor i Ksamilit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar poshtë në një lartësi rreth 30 metra. Gjatë daljes nga rruga mjeti ka marrë përpara një kalimtar 78-vjeçar, Koço Nika, i cili është tërhequr zvarrë nga automjeti dhe ka pësuar goditje në kokë, duke humbur më pas jetën gjatë transportimit për në spital. Drejtuesi i mjetit, Zenun Mero, nga rënia poshtë e mjetit është plagosur rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën në repartin e kirurgjisë në Spitalin e Sarandës. Për Zenun Meron është ngritur akuza e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe ndaj tij është marrë masa e ndalimit nga efektivët e Komisariatit të Sarandës.
9 Qershor 2010