Shqiptarja, trafikonte vajza në Francë
ITALI - Prangoset një shqiptare, anëtare e një rrjeti të trafikut të të miturave për prostitucion midis Italisë dhe Francës. Mediat italiane njoftuan se dje u vu në pranga 26-vjeçarja Marika Bano, ndaj të cilës hetuesit e policisë italiane kishin ngritur akuzat: "trafik qeniesh njerëzore" dhe "shfrytëzim prostitucioni". Arrestimi i saj është bërë nga policia e Alesandrisë me kërkesë të autoriteteve gjyqësore franceze. Bano jetonte kohët e fundit në Karbonara Skrivia në zonën e Tortonezes. Tashmë Bano do të dalë para një Gjykate të Apelit në Torino ku do të vlerësohet kërkesa për ekstradim në Francë. Vitin e shkuar policia kishte bërë hetime për të zbuluar anëtarët e një organizate të përbërë nga shtetas shqiptare, që trafikonte vajza të reja deri në Francë, të cilat i përdorte pastaj për prostitucion edhe në Itali. Meqë aktiviteti kryesor është kryer në Francë dhe gjyqi do të zhvillohet në Francë, ku autoritetet e këtij vendi kanë njoftuar pak kohë më parë zhvillimin e hetimeve në ngarkim të të akuzuarve shqiptarë. Pritet që Bano të përballet së shpejti me ekstradim, ndërsa ende nuk dihet qëndrimi i saj përballë akuzës të ngritur nga autoritetet franceze të drejtësisë. Po kështu pritet që kjo ta kundërshtojë kërkesën për ekstradim në Francë. f.m.