Trafiku i pistoletave, në qeli dy të arrestuarit
TIRANE - Afrim Stafuka dhe Kujtim Laçi, dy të arrestuarit për trafik pistoletash do të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Ky ishte vendimi i djeshëm i Krimeve të Rënda, ku dy të pandehurit nga Fushë-Kruja u përballën për rreth dy orë me kërkesën e prokurorisë për vendosje të masës së sigurisë. Seanca në ngarkim të tyre u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa burime nga procesi pohojnë se 44-vjeçari Kujtim Laçi nuk ka preferuar të japë shpjegime të hollësishme, por ka mohuar akuzën në ngarkim të tij. Mbi të, veç akuzës së bashkëpunimit në trafik armësh, rëndon edhe akuza e "mbajtjes së lëndëve narkotike". Kjo për faktin se pas kontrollit të kryer në banesën e tij pak minuta pas arrestimit u gjet një sasi narkotiku prej 200 gramësh, e dyshuar të jetë kokainë. Kurse i pandehuri Stafuka, 39 vjeç, mësohet se ka pranuar vetëm njërën nga armët, ndërsa pesë të tjerat pretendon se nuk janë të tijat dhe se mund t'ia kishin futur në mjetin ku u kapën. Pas kësaj vetë të pandehurit dhe mbrojtja e tyre kërkuan vendosjen e masave më të lehta të sigurisë, duke pretenduar se prokuroria nuk kishte paraqitur prova në gjyqin paraprak, por dyshime. fa.ma.