E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kurum” firmos kontratën, sponsori i ri i Elbasanit

 

Klubi i futbollit Elbasani i përfaqësuar nga presidenti Arben Laze dhe kryetari i Bashkisë së qytetit, Qazim Sejdini, kanë nënshkruar një kontrate sponsorizimi me kompaninë turke, Kurum International që do të jetë dhe sponsori gjeneral i skuadrës së futbollit për sezonin 2008-2009. Drejtori i përgjithshëm i Kurum International, Koray Zeytinoglu ka falënderuar popullin e Elbasanit pa të cilët nuk do të kishte arritur deri këtu. Sipas tij tashme ka ardhur koha qe Kurum t’ia shprehë mirënjohjen Elbasanit, duke u bërë jo vetëm sponsor zyrtar i këtij ekipi, por edhe duke e mbështetur në të gjitha fushat brenda mundësive në mënyrë që FK Elbasani këtë vit të arrijë të bëhet kampion. “Falënderoj në radhë të parë drejtuesit e Elbasanit, që pranuan këtë bashkëpunim. Prej shumë vitesh jemi në Shqipëri, në Elbasan dhe do të qëndrojmë në Elbasan. Shpresojmë që këtë vit klubi i Elbasanit të shpallet kampion i Shqipërisë”. Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini u shpreh se vlerëson faktin që tashme FK Elbasani do të jetë më i mbështetur se kurrë për te arritur rezultatet pozitive të pritura. “Më vjen mirë që këtë fillim kampionati ekipit të futbollit dhe shoqërisë aksionere iu ofrua një kompani e fuqishme siç është Kurumi. Nënshkrimi i kësaj kontrate, duke qenë Kurumi, sponsor gjeneral, na bën të ndihemi mire, na vjen mirë për këtë kujdesje për sportin dhe për klubin e futbollit të këtij qyteti. Falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë marrëveshje. Shpresojmë që me këtë sponsorizim skuadra e qytetit tone të shpallet kampione e Shqipërisë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›