Shqyrtohen sot kërkesat për Prendin dhe LLupon

Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë sot kërkesën e Prokurorisë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish- komandantit te Gardës, Ndrea Prendi, ndërkohë që disa ditë më parë kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata e Tiranës.
Prokuroria kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie, në arrest me burg për ish-komandatin e Gardës, por Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm, duke e lënë atë në arrest shtëpie.
Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës u vu nën arrest shtëpiak, pasi nga hetimet njëvjeçare për ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, ai dyshohet se ka vrarë protestuesin Faik Myrtaj.
Ndërkohë Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës pritet të shqyrtojë sot kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë ndaj ish-gardistit Agim Llupo. Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e afateve të paraburgimit për Agim Llupon, gardistin e vetëm që ndodhet prapa hekurave në kuadër të hetimeve për vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit.
Prokuroria kërkon zgjatjen e afateve edhe 3 muaj, për shkak dhe të ardhjes me vonesë të ekspertizës së FBI, dhe kompleksitetit të çështjes ndërsa Llupo kërkon lirimin pasi thotë se kanë skaduar afatet e paraburgimit. Ish-gardisti Agim Llupo, akuzohet për vrasjen e protestuesit Ziver Veizi në ngjarjet e 21 janarit . Ai ndodhet i izoluar në qeli nën masën e sigurisë “arrest me burg” ndërsa çështja sot do të gjykohet nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa.