Tryeza nuk u mbyll, zgjidhja shumë afër
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi dje se “tryeza e mbajtur në Strasburg ishte një hap i madh përpara drejt garantimit të një transparence të plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit”. Në vlerësimin e tij, kjo mund të cilësohet tryeza ku gjithë faktorët politikë më të lartë përfaqësues të botës demokratike së bashku dëshmojnë angazhimin e partnerëve të Shqipërisë, për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për krizën e thellë politike dhe institucionale. Balla, si një ndër deputetët që bënte pjesë në delegacionin e Partisë Socialiste në Strasburg, u shpreh se “tryeza nuk është mbyllur, ndërsa zgjidhja është shumë afër”. Ai konstatoi se palët duhet të marrin përgjegjësitë për të mos djegur afatin ultimativ dyjavor të përcaktuar nga ky takim. “Ajo që duket tashmë më se e qartë është fakti se kutitë e dokumentacionit zgjedhor do të hapen, duke nxjerrë kështu në dritën e diellit të gjitha Ruzhdiet e Shqipërisë. Kjo është e pandryshueshme tashmë. Ndërsa palët janë ende në kërkim të një qasjeje për fletët e votimit”, nënvizoi Balla.
#