“Shtabi i Emergjencës, plan konkret për përballimin e situatës”

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi dje se falë operacioneve të Shtabit të Emergjencave, iu është ardhur në ndihmë dhjetëra banorëve të izoluar në zonat e Dibrës dhe Kukësit, ku ndër ta ka pasur banorë me probleme shëndetësore, të moshuar, fëmijë dhe gra shtatzëna.
Ministri Nishani paraqiti masat që ka marrë ministria nga data 7 shkurt me ngritjen e Shtabit të Emergjencave për përballimin e reshjeve të dëborës në qarqet e prekura nga bora dhe ngritjen e shtabeve të prefekturave.
Ndër masat kryesore, Nishani renditi miratimin e planit konkret për përballimin e situatës, ku prioritet mbetet dhënia e asistencës profesionale për emergjencat shëndetësore. “Për këtë qëllim, ministria e Shëndetësisë ka pasur në dispozicion ekipin e helikopterëve të saj me të cilët janë organizuar rreth 38 fluturime në Tropojë, Has, Kukës, Malësi e Madhe ku janë shpëtuar jetë të disa fëmijëve dhe disa nënave në lindje”, theksoi ministri Nishani.
Ai përmendi rolin që po luajnë në dhënien e ndihmës së shpejtë nga Ministria e Mbrojtjes me angazhimin e ekipeve të regjimentit të Farkës në ofrimin e emergjencës me ushqime në disa fshatra të Kukësit, Peshkopisë dhe në lëvizjen e akseve kryesore nacionale.
Ministri Nishani tha se në ndihmë të zonave të mbuluara nga bora që ka arritur në lartësi të mëdha, Drejtoria e Rrugëve ka vënë 46 borëpastruese dhe 20 fadroma, duke mbajtur hapur akset nacionale dhe në tërësi edhe ato rurale në komunat më të thella.
Në ministrinë e Brendshme situata po mbahet nën monitorim dhe kontaktet po menaxhohen nga salla e Emergjencës civile me shërbim 24 orë, me linja telefonike në komunikim direkt me shtabet e prefekturave si dhe direkt me komunat.
Ministri i Brendshëm vuri në dukje se është bërë e mundur që me mjete me kalueshmëri të lartë, të shpërndahen 1200 pako në disa fshatra të thella malore në Librazhd, Peshkopi, Pukë, Kukës, Tropojë.
“Rezervat e Shtetit kanë angazhuar 100 forca pune me tre turne për përgatitjen e pakove me ushqime dhe ndihma sipas një plani që drejtohet nga drejtoria e Emergjencave Civile, në koordinim me prefekturat dhe sipas kërkesave të komunave që njohin mirë situatat”, tha Nishani.