E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreth 200 shkolla kontribuojnë për familjet e prekura

Edhe fëmijët janë të prekur emocionalisht nga ngjarja në Gërdec. Për këtë kanë menduar t’u vijnë në ndihmë financiarisht sadopak. Rreth 200 shkolla 9-vjeçare, të mesme publike dhe jopublike, janë ftuar nga Drejtoria Arsimore Tiranë të kontribuojnë financiarisht në mënyrë vullnetare në ndihmë të banorëve të prekur nga ngjarja e Gërdecit. “Që prej dy ditësh në çdo shkollë kemi vendosur thirrje, përmes të cilave ftojmë të gjithë stafin arsimor të shkollave bazë dhe të mesme të japin kontributin financiar në mënyrë vullnetare dhe sipas mundësive në mbështetje të të dëmtuarve nga ngjarja e Gërdecit”, - u shpreh Kalosh Ferati, shefi i sektorit ekonomik në Drejtorinë Arsimore. Sipas tij, kontributi i mbledhur në çdo shkollë do të bëhet gati me procesverbal nga drejtoritë respektive. Të gjitha kontributet do të derdhen në një nga llogaritë bankare të përcaktuara. Për të gjithë nxënësit që kontribuojnë do të ketë një listë emrash, që tregon se kanë kontribuar apo sa është shuma që ata kanë dhënë në ndihmë të moshatarëve të tyre.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›