E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, alarm fals për shpërthime të tjera në Gërdec

Spitalet në gatishmëri të plotë në pritje të të dëmtuarve. Mbetet enigmë se kush ishte lajmëtari i një tragjedie të dytë
Emanuela Sako
Një alarm i rremë për një shpërdhin të dytë në Gërdec ka vënë në gatishmëri Drejtorinë e QSUT-së. Duket se ora 12:00 e mesditës është kthyer në një moment ankthi dhe paniku te të gjithë qytetarët. Kështu, rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, në QSUT mbërriti lajmi se në Gërdec kishte ndodhur një tragjedi e dytë, ku pritej të kishte humbje të tjera në njerëz. Frika për një tjetër tragjedi ka mobilizuar të gjithë personelin e QSUT-së. Policët e ndodhur aty bllokuan qarkullimin e automjeteve në pritje të ambulancave apo makinave personale që mund të vinin të dëmtuarit. Asnjë makinë, përveç autoambulancave, nuk u lejua të hynte në territorin e spitalit më të madh në vend. Ndërsa bluzat e bardha qëndruan në pritje përreth një orë, duke bërë gati mjetet për pritjen e të plagosurve.
Mobilizimi
Mobilizimi ishte i menjëhershëm në përballje të një tjetër tragjedie. Në të gjitha ambientet e qendrës spitalore shihje forca policie që kishin zënë pozicionin e tyre për t’u krijuar hapësirë kalimit të autoambulancave dhe lirshmëri veprimi bluzave të bardha. Qytetarët shihnin të tmerruar pritjen e vargut të ambulancave, ashtu siç ndodhi 7 ditë më parë. Por, tragjedia nuk u përsërit dhe kjo ishte ajo çka të gjithë dëshironin. Orët e ankthit dhe tmerrit përfunduan për të gjithë. Gjithçka u kthye në normalitet, lëvizja e lirë e automjeteve dhe gjendja e gatishmërisë së mjekëve, që prisnin të organizoheshin edhe një herë. Ndërkohë që sytë e kureshtarëve prisnin të shuhej heshtja nga zhurmat e sirenave të ambulancave. Ndërsa kapacitetet e Djegie-Plastikës janë plot me pacientë.
Enigma
Ajo që mbeti enigmë në këtë ngjarje është se kush e përhapi lajmin dhe e vuri në gatishmëri të plotë QSUT-në, që ende nuk e ka marrë veten nga vrulli i punës dhe fluksi i madh i pacientëve, që ende luftojnë për jetën në dhomat e kësaj qendre. Askush nuk dha një përgjigje të qartë për përhapjen e lajmit. Të gjithë pyesin se kush ishte nismëtari i përhapjes së një lajmi të tillë. E ndërkohë që ata që ishin më të paditurit në lidhje me këtë situatë ishin mjekët që dilnin nga sallat e operacioneve. Ata kërkonin të merrni informacione në lidhje me ngjarjen.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›