E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë artistë në një katalog

Të martën është promovuar katalogu i Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor Net/Rrjet (edicioni i dytë), projekt i Galerisë Expoart.40. Nga Express më 23 shkurt 2011 në ora 16:11

Katalogu është përgatitur nga Majlinda Kelmendi dhe Zeni Ballazhi. Në katalog janë përfshirë artistët Dusan Zidar (Slloveni), Fahredin Spahija (Kosovë), Fitore Isufi (Kosovë), Gjokë Gojani (Itali), Kristina Bozurska (Maqedoni), Loreta Ismailaj (SHBA) dhe Majlinda Kelmendi (Kosovë).

Me rastin e promovimit, kritiku, Mustafa Ferizi, ka shkruar se mënyra e mendimit, krijimit dhe mesazhit artistik sot e dëshmon më së miri se arti nuk është gjendje, por proces që vazhdimisht evoluon dhe zhvillohet me zhvillimin e vetëdijes së njeriut, përkatësisht me zhvillimin e teknikës, teknologjisë dhe të informacionit.

“Si duket, e bukura po u hyn në punë vetëm njerëzve dhe artistëve pa imagjinatë e me intelekt të ulët, që gjykojnë nëpërmjet shqisave. Kurse, kjo kohë kërkon artistë të cilët dinë të mendojnë dhe në procesin e krijimit shërbehen me mekanizmin njohës inteligjibil krijues, të cilët e dinë se - siç tha esteti gjerman Shelingu - edhe idetë filozofike mund të objektivizohen vetëm përmes artit”, theksoi Ferizi.

Ndërkaq, kritiku tjetër, Ilir Muharremi, konsideron se njeriu krijon, ngase ballafaqohet me shqetësimin e brendshëm dhe në këtë shqetësim bëjnë pjesë edhe e mira dhe e keqja, të cilat pastaj, të bashkuara thërrasin krijimin.

“Këtë krijim të brendshëm e dëshmuan shtatë artistë të artit figurativ, të cilët i ekspozuan veprat e tyre në galerinë private ‘Expoart.40’, që ndodhet në Prishtinë. Përmes videove, instilacioneve e fotografive, ata shpalosën problemet e tyre të brendshme, globale, kozmike, të cilat bëjnë pjesë në kohën e sotme”, nënvizoi Muharremi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›