E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtatë çuditë e “fasadë kongresit”

Elmaz Sherifi 

Partia Socialiste ka zhvilluar shumë kongrese gjatë historisë së saj 18-vjeçare. Shumica e tyre kanë rezultuar vërtet të suksesshme. Mund të themi se gjithçka është zhvilluar brenda normalitetit. Por Kongresi i 29 gushtit 2009, jo vetëm ka qenë një “kongres fasadë”, por i mbushur edhe me çudira!
Çudia si një ndjenjë a përshtypje, na vjen nga diçka e jashtëzakonshme, nga diçka e papritur ose e pakuptueshme. Po rendis disa prej çudive që u hasën në këtë Kongres.
Çudia e parë: Ajo ndeshej që në hyrjen e sallës së kongresit. Më rastisi që mandatin e delegatit nuk e kisha me vete, pasi kolegët që kishin mandatin tim ishin futur në sallë para meje. “Nuk mund të hyni pa mandat”, - m’u drejtuan mbajtësit e rregullit. “Jam deputet, nuk më njihni”. – Iu drejtova unë! “Ju njohim shumë mirë, por ne jemi polici private, bëjmë detyrën”, - këmbëngulën ata. Shefo, dëgjova një zë nga mbrapa, hyrjen e kontrollon Bashkia tani. Mirë bëjnë që kontrollojnë çdo mandat mendova, që askush pa mandate të mos hyjë në sallën e kongresit. Por më vonë u çudita, sepse sa mbaroi fjalën kryetari në detyrë, (sepse detyrën se lëshon) në podium ngjitet një vajzë, që nuk ishte as delegate e as e ftuar, por që kishte bërë një rrugë të gjatë për t’i thënë Edi Ramës nga tribuna e Kongresit: “Bëhu burrë e mos luaj nga detyra e Kryetarit”. U befasova për faktin se nga hyri kjo gocë, kur policia private nuk linte as deputetin e Partisë Socialiste të hynte në sallën e kongresit pa ftesë-mandat! Por njëkohësisht u dëshpërova kur kjo situatë komike zhvillohej para syve të “kongresmenëve”, të cilët në vend që të shqetësoheshin për këtë situatë të pazakontë në një kongres partie dhe në vend që të pyesnin çfarë përfaqësonte kjo e panjohur, e duartrokisnin sikur të ishin te “Portokallia” e Agron LLAKËS.
Çudia e dytë: Edi Rama nuk ishte në presidiumin e drejtimit të kongresit! Përse Kryetari në detyrë, siç e quan ai veten nuk ishte në presidium?! Kjo është e pazakontë dhe e paimagjinueshme. As gazetarët investigativë nuk e kanë kapur këtë detaj, i cili nuk është formal, por substancial. Çuditërisht seancën e kongresit nuk e hapi as ndonjë anëtar i presidiumit!? Përse ky devijim nga të gjitha procedurat normale dhe serioze në zhvillimin e punimeve të forumit më të lartë të Partisë? Fiken dritat, sikur të ishim në kinemanë e një garnizoni ushtarak para lufte dhe nën efektin e një “dhune akustike”, ekspertët psikologë të Edit synonin trullosjen e “kongresmenëve” tanë me renditjen e shumë të dhënave që nuk kanë asnjë vlerë juridike, por që nuk janë as të denja politikisht për një kongres partie. Të gjitha llogaritë ishin bërë me synim që të shmangej vëmendja nga e vërteta. E vërteta është që Partia Socialiste i humbi zgjedhjet dhe për këtë përgjegjësinë e ka Edi Rama si kryetar i PS-së.
Por pikërisht këtë do që të mbulojë Rama, humbjen e tij. Në Kongresin e Partisë Socialiste para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, Rama në diskutimin e tij shkoi deri në absurd! Humbjen e zgjedhjeve, tha Rama: “Do ta quaja tradhti kombëtare”.  Në atë periudhë ishte Nano, kryetar i PS. Me humbjen e zgjedhjeve, Nano edhe pse nuk detyrohej nga ndonjë normë statutore u largua nga drejtimi i partisë.
Edi edhe përse vendosi vetë një normë statutore, e cila përcakton se me humbjen e zgjedhjeve parlamentare kryetarit i ndërpritet mandati, tani nuk pranon të largohet nga karrigia e kryetarit! Me këtë detaj mund të ballafaqohen dy modele drejtimi, dy mentalitete të kundërta, që bëjnë qartë dallimin midis mentalitetit demokratik dhe atij autokratik. Dhe që të mos mbajë përgjegjësi për humbjen, ai thirri kongresin për të bërë bashkëpërgjegjës të gjithë “kongresmenët”. “Të mos i njohim zgjedhjet”, - tha Rama. “Ta shikoj e të vendos unë me bashkëpunëtorët e mi kur do vemi në Parlamentin me legjitimitet të kufizuar”. Dhe “kongresmenët” duartrokitën kryetarin, kur për këtë çështje madhore kongresi duhet të diskutonte në një seancë të veçantë dhe pastaj të merrte një vendim, i cili duhet të publikohej në mënyrë serioze si një Akt i Kongresit!
Çudia e tretë: Kongresin e jashtëzakonshëm e thirri Rama. Përse e thirri? “Sepse në 26 shtator do të bëjmë zgjedhjet për kryetar partie”, tha kryetari i Asamblesë së PS. Shumë  socialistë me të drejtë mund të pyesin: - Pse do t’i bëjmë zgjedhjet për kryetar kur kryetarin ne e kemi?! Epo kryetarit i është ndërprerë mandati! Po përse i ndërpritet mandati kryetarit? Sepse sipas statutit të Partisë të miratuar nga vetë Rama, kryetarit i ndërpritet mandati kur partia që ai drejton rezulton humbëse në zgjedhjet parlamentare. Pra, kjo është çudia apo paradoksi! Rama nuk deklaron dhe nuk pranon se i ka humbur zgjedhjet dhe është Ai që propozoi kongresin e jashtëzakonshëm për të bërë zgjedhje të reja duke kandiduar përsëri për kryetar. Ky është kulmi i hipokrizisë dhe evidentimi i tipareve më të dobëta të personalitetit të tij. Etja e tij për pushtet të pamerituar tani është dimensionuar rrezikshëm. Dhe këtë e realizon në një mënyrë tejet djallëzore.
Ai e mblodhi kongresin për ta përdorur si fasadë, ashtu si janë  ata “kongresmenë” që kërkojnë kandidimin e tij! Jo pa qëllim ka artikuluar më parë se kandidimin ia kanë kërkuar Gramozi, Namiku, Vali, Arta, Ermelinda e të tjerë. Me këtë veprim të padenjë për një drejtues partie, ai përdhos dinjitetin e forumit më të lartë të PS, Kongresit, duke e prezantuar para opinionit publik si një organ, që nëse do i referohesha Max Weberit: “Flijohet para karizmës së autoritetit”.
Ky fakt e zvogëlon dimensionin ndikues të Partisë Socialiste para qindra-mijëra njerëzve që i kanë besuar kësaj force politike në vite. Pikërisht për këtë çështje madhore bëhet dallimi kryesor midis realistëve dhe konformistëve.
Realistët i kërkojnë Ramës të pranojë se AI i humbi zgjedhjet dhe duhet të largohet nga drejtimi i PS dhe t’i hapë rrugën një procesi të ri reformimi në, PS duke qenë edhe ai vetë kontribuues. Ndërsa konformistët, të cilët kanë po kaq përgjegjësi për humbjen sa edhe Rama, për interesat e tyre personale, të formësuara tashmë si lobing i mirëfilltë interesash, inkurajojnë Ramën në aventurën e tij, sepse dhe kështu në opozitë, ata ndihen shumë komodë.
Çudia e katërt: Ben Blushi, në emër të një grupi të madh delegatësh (nuk është reale e dhëna se sa votuan pro e kundër, pasi reale është lista e firmosur) paraqiti një paketë për ndryshime statutore. Asnjë nga mbështetësit e Ramës nuk mund t’i kundërshtonin ndryshimet, “madje edhe ndryshime të tjera nevojiten”, thoshin ata. Por këto ndryshime nuk mund të bëhen në një kongres të jashtëzakonshëm. Ndryshimet i kemi bërë në kongrese të zakonshme, artikulonin ata. Dhe pa e vënë logjikën në punë propozonin që ndryshimet të bëhen, qoftë dhe pas gjashtë muajsh. Sa çudi!
Po përse mbas gjashtë muajsh kongresi mund të quhet i zakonshëm? Nëse do të ishte kjo arsyeja, përse nuk u prit që kongresi të zhvillohej në afatin statutor?
Çfarë kërkonin propozuesit e paketës për ndryshimet në statut? Ata kërkonin rivendosjen e normave demokratike tashmë të cenuara rëndë në Partinë Socialiste. Sepse vendin e frymës dhe vendimmarrjeve kolegjiale të forumeve të zgjedhura e ka zënë emërimi nga një individ i vetëm, Kryetari. Lista e drejtuesve në qarqe mban vetëm firmën e kryetarit. Shumë nga sekretarët e asambleve në rrethe gjithashtu janë imponuar nga Kryetari në detyrë dhe bashkëpunëtorët e tij të preferuar, për pasojë dhe në kongres janë shumë të emëruar me porosi të kryetarit e bashkëpunëtorëve të tij dhe jo të zgjedhur nga anëtarësia socialiste. Partia Socialiste është larguar shumë nga parimet demokratike të funksionimit dhe po e humbet identitetin e saj. Ajo tashmë ka një kryetar humbës dhe humbja e tij nuk është vetëm në këto zgjedhje. Ai humbi edhe zgjedhjet lokale në vitin 2007. Ne fituam në qytetet kryesore ashtu si kishim fituar gjithmonë në zgjedhjet lokale, por humbëm gati 100 komuna e bashki, të cilat i fitonim rregullisht prej korrikut të 1992. Partia Socialiste ka gati 750 këshilltarë më pak se në vitin 2003, ka 10 qarqe më pak, për pasojë dhe rreth 3000 të punësuar më pak. Është fakt i pakundërshtueshëm që në rezultatin negativ të zgjedhjeve të vitit  2009 ka ndikuar drejtpërdrejtë humbja e bashkive dhe komunave në vitin 2007.
E pikërisht që të ndryshojë situata dhe partia të bëhet fituese në zgjedhjet e ardhshme lokale, Blushi propozoi ndryshimet në emër të një grupi delegatësh të kongresit, të cilat me cinizëm nuk u vendosën as në diskutim, për të mos ndryshuar atë “statusquo” që kishte vendosur humbësi.
Çudia e pestë: Kongresi u mblodh për të bërë analizën e zgjedhjeve dhe për të nxjerrë përgjegjësitë. Kjo gjë nuk ndodhi. Përkundrazi të gjitha diskutimet e bashkëpunëtorëve të kryetarit në detyrë u drejtuan nga “vjedhësi i zgjedhjeve”, Berisha. Çudia është se procesi zgjedhor ka mbaruar. Në të gjitha nivelet komisionet dhe komisionerët e Partisë Socialiste kanë firmosur dokumentet e procesit zgjedhor. Edhe anëtarët e komisionit qendror të së majtës e kanë certifikuar rezultatin përfundimtar. Pra, procesi zgjedhor ka mbaruar dhe deputetët kanë marrë mandatet e tyre. Çfarë vlere ligjore kanë tashmë deklaratat në kongres apo në dyert e selisë së Partisë Socialiste, se zgjedhjet u manipuluan! Me të drejtë të gjithë ata që votuan Partinë Socialiste thonë: “Përse nuk ruajte votat zotëri ashtu si premtove?”
Drejtuesit e PS janë bërë qesharakë sa herë flasin për vjedhjen e votave, duke na kujtuar skeçin e Luftar Pajës për vjedhjen e lopës.
“Po ti ku e kishje mendjen ere”, thoshte Paja!. Njëkohësisht tregohen amatoreskë kur deklarojnë se nuk njohin zgjedhjet dhe institucionet e dala prej tyre!. Në shtetin e së drejtës institucioni përfaqësues i pushtetit ligjbërës është Parlamenti.
Tani që janë ezauruar të gjitha procedurat ankimuese sipas Kodit Zgjedhor e Kushtetutës dhe pas verifikimit të mandateve nga Komisioni i Mandateve, Parlamenti legjitimohet në veprimtarinë e tij. Por deklarata është naive, edhe për faktin se një ditë   deputetët e PS do të shkojnë në Parlament (unë do të thosha se duhet shkuar që ditën e parë), si do ta quajnë parlamentin atë ditë, ilegjitim? Përse atëherë duhet të shkohet në një parlament “ilegjitim”!? “Do provokojmë zgjedhje të parakohshme”, thotë Rama! Po me cilat instrumente do realizohen ato?
Me ndryshimet kushtetuese që bëri Rama, zgjedhjet mund të bëhen të mbrapakohshme, pasi para kohe është shumë e vështirë të mbahen. Por edhe sikur të vinte kjo dhuratë, kush do t’i fitojë ato, AI që i humbi!? Ne sapo i bëmë ato dhe “plaku i fundit i politikës së vjetër”, si ka qejf Rama ta quajë, e mundi Arkitektin e “politikës së re”. Apo mos vallë Rama ka të dhëna se Berisha do largohet nga politika!? Përkundrazi, Berisha iu përgjigj menjëherë: “Këtu jam, edhe për shumë vjet”.
Të gjitha këto histori prodhohen për të entuziazmuar socialistët, më saktë për t’i mashtruar ata, sa të mbarojë procesi farsë i zgjedhjes e më pas të justifikojë humbjen e radhës në zgjedhjet lokale. Rama do ta ketë të lehtë të thotë: “Ju më kërkuat që unë të bëhesha kryetar. Më lini tani të mbaroj mandatin!”
Çudia e gjashtë: Rama erdhi në krye të PS me premtimin e madh, se do të bashkonte socialistët dhe të majtët e përçarë! Kjo fatkeqësisht nuk ndodhi, përkundrazi ai është bërë arkitekt i përçarjes. Ai ka promovuar në drejtim dhe bëri deputet njerëz që nuk i lidh asgjë me Partinë Socialiste. Janë bërë deputetë shumë nga ata që me krenari deklaronin se as kanë qenë e as janë socialistë, por që iu bashkuan thjeshtë ftesës së Ramës! Janë bërë deputetë të sponsorizuarit nga lobe interesi dhe drejtues të Partisë Socialiste që dikur i kam quajtur “inkubatori i intrigës”. Janë bërë deputetë kandidaturat e refuzuara për funksione kushtetuese nga Presidenti i Republikës. E kush nuk u bë deputet i PS në këto zgjedhje, por këto janë tema të së ardhmes. Zgjedhjet që sapo mbaruan Arkitekti i “politikës së re” i humbi. Rama do që të vazhdojë misionin e humbësit, duke u kërkuar socialistëve ta bëjnë përsëri kryetar (ai kryetar është, kot lodhen socialistët me zgjedhjet farsë). Pas humbjes, ju premton zgjedhje të parakohshme, për të mundur jo vetëm Berishën, por dhe “dy armiq të rinj” Nanon dhe Metën!? ZOTI na ruajt! Sa po shtohen armiqtë në qeverisjen e Ramës!
Listës së armiqve sapo iu shtua dhe Blushi e Malaj dhe kushdo që kritikon drejtimin e tij autokratik. Por duhet thënë se pas humbjes së madhe, Rama dhe bashkëpunëtoret e tij ndihen “më të fortë se kurrë!”
Çudia e shtatë: Nuk kam dashur ta besoj, por kjo është e vërteta! Rama u kërkoi “kongresmenëve” ta votëbesonin përsëri jo për të plotësuar mandatin e ndërprerë, por për marrjen e një mandati të ri! Dhe çuditë nuk kanë të sosur!
Sikur ai ishte fituesi spektakolar dhe jo humbësi i zgjedhjeve, në një gjendje emocionale shumë të rënduar, filloi falënderimet për bashkëpunëtorët e tij, sidomos për ata që iu ndodhën pranë në ditë të vështira! Ishte një situatë komike kur shikoje se si disa prisnin të shqetësuar radhën e falënderimit, si bashkëpunëtorë të fitores (nënkupto të humbjes). Mbase dikujt i ka ngelë qejfi që nuk mori falënderimet.  
Kongresmenët nuk i ndalnin duartrokitjet! Vetëm, diçka nuk shkonte në këtë eufori.
AI harroi të përshëndeste kolegët që do garonin për kryetar! Kjo ndoshta për faktin se ai e quante të mbyllur çështjen e zgjedhjes së kryetarit të PS. Konferenca e shtypit në selinë e Partisë Socialiste një ditë më vonë e konfirmoi këtë sjellje. Ai në këtë konferencë foli me tagrin e Kryetarit të PS, kur ky tagër i mungon. Kjo është e vërteta. Gjithçka tjetër është thjeshtë fasadë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›