E Diel, 1 Nëntor 2026

Letër-porosia, Jasin Kadi: “Shteti shqiptar të më rikthejë pasuritë”

Deklarata e biznesmenit jordanez ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Çfarë kërkon i akuzuari për terrorizëm dhe lidhja me administratorin në Shqipëri

Laureta Rryçi

Tiranë - Biznesmeni jordanez, Jasin al Kadi, rrëfehet për herë të parë për Drejtësinë shqiptare mbi terrorizmin, vizitat e tij në vendin tonë, pronat e sekuestruara dhe menaxhimin e tyre nga administratori Hamzah Abu Rayan, edhe ky në akuzë për fshehje të fondeve dhe të pasurive të tjera ndaj të cilave aplikohen masat kundër financimit të terrorizmit. Gjithçka në një deklaratë 12 faqe, anglisht, shqip dhe arabisht, nënshkruar nga Jasin al Kadi e dhënë për llogari të palës shqiptare përpara Gjykatës së Xhedahut në Arabinë Saudite, vend në të cilin sheiku jeton aktualisht. Deklarata e tij ka mbërritur nëpërmjet një letër-porosie nga Ministria e Drejtësisë dhe është depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Deklarata
Jasin al Kadi u është përgjigjur 25 pyetjeve të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të dërguara muaj më parë pas një debati në gjykatë nëse sheiku saudit duhej pyetur me video-konferencë apo trupa gjyqësore shqiptare duhej të shkonte në Arabinë Saudite. “Unë nuk e kam vizituar Shqipërinë qysh nga prilli 2001. Natyrisht që kur u ngrinë asetet e mia në vitin 2001 unë nuk kam jetuar askund jashtë Mbretërisë së Arabisë Saudite. Përsa më përket mua, në mënyrë absolute nuk ka asnjë bazë të vërtetë, çfarëdo qoftë, për asnjë akuzë për pastrim parash apo financim të terrorizmit, qoftë kundër meje, qoftë kundër Hamza Abu Rajhan. Unë jam viktimë e një padrejtësie flagrante dhe të vazhdueshme dhe u bëj thirrje autoriteteve në Shqipëri që menjëherë të lirojnë pronat e mia dhe ato të kompanive të mia”, - thuhet në përgjigje. Përveç apelit të mësipërm, Jasin al Kadi thotë se konfiskimi i pronave të tij është ndërmarrë në mënyrë të gabuar, pasi nuk ka asnjë vendim gjyqësor që e shpall atë fajtor në çështjet e terrorizmit.
Dosja
Sheiku pohon se hyri në listën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si person i dyshuar për financim të terrorizmit, por, sipas tij, ai asnjëherë nuk është gjykuar apo shpallur fajtor për këtë gjë. Në letër-porosinë, Kadi flet edhe për administratorin e tij, Hamzah Abu Rajan. Sipas tij, ky i fundit nuk ka pastruar para, ashtu sikur e akuzon prokuroria dhe që prej 2001-shit, kohë në të cilën i janë sekuestruar asetet në Shqipëri, sheiku thotë se nuk ka përfituar dhe nuk i është derdhur asnjë shumë në bankë. Kjo letër-porosi konsiderohet për Gjykatën e Krimeve të Rënda tepër e rëndësishme, sepse sqaron pozicionin e jordanezit Hamzan Abu Rajan në çështjen e shoqërisë “Lloxhal sh.p.k.”, edhe kjo në sekuestro nga shteti shqiptar.

Tiranë

Arrestohet 21-vjeçari, ishte në kërkim për plagosje

Një 21-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosje ka përfunduar dje në prangat e policisë kryeqytetase. Bashkë me të ka përfunduar në qeli edhe një moshatar i tij, pasi e strehonte në banesë. Oficerët e Seksionit Kundër Krimeve dhe Shëndetit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 të Tiranës, arrestuan dje 21-vjeçarin Alkan Markaj, i dënuar më parë për kanosje dhe plagosje. Ndalimi i tij u krye pasi dy javë më parë ka goditur me thikë 20-vjeçarin David S., lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë. Burime policore i thanë gazetës “Albania” se bashkë me 21-vjeçarin u prangos edhe moshatari i tij, Selim Rama, banues në Yzberisht, i dënuar më parë për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, pasi ka strehuar në banesën e tij të kërkuarin Alkan Markaj. Ky i fundit akuzohet për veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”, ndërsa shoku i tij për “përkrahje të autorit të krimit”.

Shijak

Vuante nga depresioni, vetëvritet 19-vjeçari

Forcat e policisë së Shijakut kanë gjetur të vetëvrarë në banesën e tij 19-vjeçarin Ergest Tuda nga fshati Shetel i Shijakut. Burime policore thanë për gazetën “Albania” se nga veprimet e para hetimore rezulton se ky person vuante prej disa muajsh nga depresioni. Po të njëjtat burime saktësuan se ngjarja ka ndodhur në banesën e tij, në kohën kur ai gjendej vetëm. Po sipas policisë, adoleshenti u godit me armë automatike në pjesën e ballit, gjë që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Është bllokuar në vendin e ngjarjes arma një automatik model 56 i kalibrit 7.62 mm dhe dy gëzhoja të po këtij kalibri. Nga deklarimet e marra dhe nga provat e administruara paraprakisht mendohet se kemi të bëjmë me vetëvrasje. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit për të hetuar më tej rreth veprës penale të “vetëvrasjes”, parashikuar nga Neni 99 i Kodit të Procedurës Penale.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›