E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agresiviteti rrënues

Ylber Lili 

Prej dekadash rrihet një hipotezë në lidhje me materien- prejardhjen maqedonase. Megjithëse dihet se populli maqedonas është gjymtyrë e ngjitur në trupin sllav, disa prej elitave krijojnë kotësira identitare. Tashmë, aristokratët xhepshpuar maqedonas të yshtur e dalldisur prej absolutizimit, despotizmit qeveritar dhe shtetar e kanë mbërthyer popullin e tyre në darën e përrallës me moral antikiteti. Sëkëndejmi, sallata mikse ngjan me koktelin, pjesërisht me ide serbe, pjesërisht me shpirt bullgar dhe çfarë mbetet përzihet me demagogjizmin misionar pa kauzë. Kohët e fundit demagogjia misionariste ka marrë trajta të frikshme. Nikolla Gruevski, ky demagog i përrallës me moral antikiteti, ka shpënë në dorë gjithë pushtetin dhe shtetin duke ia kallur datën popullit të vet që përpëlitet në qarkun izolues. Përballë kësaj makinerie izoluese që nxjerr gazra të pafund krizash, një pjesë e popullit maqedonas është i pafuqishëm të kundërshtojë tezat qesharake, ndërsa pjesa tjetër naivisht e gëlltit përrallën e antikitetit si të vërtetë. Në këtë kuptim, udhëheqësi i përrallës, fuqizohet falë dorëzimit të popullit para këmbëve të idesë së tij absurde. Nga ana tjetër shfaqet udhëheqësi të cilin e ka kapur frika dhe fshihet pas prapanicës së sovranit. Për rrjedhojë, populli maqedonas bie në gjumë me idenë se: gjithçka e di udhëheqësi – ne duhet t’u shkojmë pas atij!. Ndërsa vetë udhëheqësi gdhihet i frikësuar dhe thotë: gjithçka e di sovrani - ne duhet t’i shkojmë pas atij. Në të dyja rastet, rezultati i një procesi është vetëshkatërrues, ngaqë përplas dy modele kundërshtuese me njëra-tjetrën. Imagjinoni sesi këto dy variante nëse nuk puqen bashkë çfarë shkëndije japin, pa dyshim e kallin shtetin. Gjithçka që u tha më sipër do të ishte panoramë shterpe, nëse hiqet qoftë edhe një presje e peshës së elementit shqiptar, por kurrsesi jo në projektin dështak. Historikisht, shqiptarët në gen nuk janë trazues, kërcënues e rrënues, fundja edhe po të kishin një dell të tillë, dhuna, represioni dhe hegjemonizmi sllav e kanë bërë atë qenie për mbijetesë, të paasimilueshme, por hera-herës të manipuluar. Me një fjalë, as në projektimin e gabuar të shtetit, as në ndërtimin e shtërzues ideologjik e politik të saj dhe as në krizat që vlojnë, shqiptarët nuk kanë gisht. Madje, mund të thuhet pa hezitim se Maqedonia ka mbijetuar falë konstruktivitetit të elementit shqiptar.
II- Vështirë të gjendet në historinë bashkëkohore një sistem horror, sa irritues, po aq diskriminues ndaj një populli autokton – shqiptarëve në Maqedoni. Ndonëse në fillim të viteve ‘90-të, çështja e shqiptarëve të Maqedonisë është konsideruar e papërfillshme, kundrejt çështjeve të tjera të pazgjidhura në planin global, më vonë pesha e rëndësisë është rritur ndjeshëm. Pra, problemi i shqiptarëve të Maqedonisë në dukje i vogël, gradualisht zuri vend në “ballinat e kopertinave” të BE-së, NATO-s e SHBA-ve. Papërfillshmëria e çështjes shqiptare duhet analizuar përmes tri optikave: e para, ka të bëjë me sajimin e nxituar dhe të rrezikshëm të arkitekturës shtetërore, bashkangjitur kësaj edhe modelin e qeverisjes (kushtetuta e vitit 1991) e cila fshihte një çështje pa të cilën shteti nuk do kishte kuptim. E dyta, ishte qasja etnocentrike e palës maqedonase për shtetin, fuqizimi i një nacionalizmi anakronik dhe shpërthimi skenofobik ndaj shqiptarëve. Së treti, shqiptarët në kushtet e shtetbërjes maqedonase ishin ende në paradhomat e politikës, amatorë, pra të papjekur, deri diku pacifistë e konformistë. Marrë së bashku, elitat maqedonase të injektuar nga praktikat serbe afirmuan nacionalizmin e tyre duke ushtruar mekanizmat përjashtues dhe tmerrin okult ndaj shqiptarëve. Në këto kushte arbitrariteti në shumë raste kishte gjykim të gabuar. Maqedonia humbiste të gjitha ndeshjet në fushën demokratike, ndërsa paradoksalisht i fitonte ato në terrenin e vet. Ky moskuptim i gjyqtarëve, bëri që në terrenin e brendshëm maqedonas të zhvilloheshin lojëra që nuk kishin asnjë element të sportivitetit demokratik. Lënia jashtë fushave institucionale, publike, privatizuese, politike, kulturore, ekonomike, arsimore e shqiptarëve, diktonte një tjetër kahje zhvillimi. Etniteti shqiptar, i lodhur duke ngrohur stolin e rezervave dhe i sfilitur së tepërmi duke qëndruar spektatorë në shkallët e fushës etnocentrike doli nga letargjia. Kështu, pas tre apo katër vitesh letargjie duke qëndruar si spektatore, aty rreth viteve ‘93-‘94, shqiptarët u vetëdijesuan, ndërtuan kauzën kombëtare dhe patën ide përmes të cilave kërkonin të ishin zotër të gjysmës së fushës, politike, institucionale, kulturore, arsimore, buxhetore etj. Së këndejmi çështja e pazgjidhur e shqiptarëve të Maqedonisë u bë e dukshme në jetën politike dhe ndërkombëtare vetëm kur shqiptarët braktisën shkallët dhe u hodhën në fushën politike për t’u bërë zotër të të drejtave të tyre kolektive në harmoni me standardet demokratike dhe me skemat balancuese për shtetformim. Pas shumë peripecish, u ndezën prozhektorët për të zhvilluar një lojë ferr me mundësi dhe rrisqe të barabarta. Pra, shqiptarët hynë në fushën institucionale me ide të qarta në kokë. Mirëpo, dritat u shuan qysh në pjesën e parë të lojës.
III - Pas vitit 2001 e këndej u riciklua skema e vjetër e tkurrjes së proceseve, fusha ndriçonte vetëm pjesën maqedonase, ndërkaq etniteti shqiptar mbeti në errësirë. Nga njëra anë, ky ishte një paralajmërim për ta shpërfillur zëshëm çështjen e pazgjidhur shqiptare, ndërsa nga ana tjetër një sinjal për të fuqizuar pushtetin absolutist etnocentrik maqedonas. Idetë që fisnikëronin politikën shqiptare dhe institucionalizonin kërkesat e zgjedhësve të tyre u suspenduan. “Fati” u brofi në derë amatorëve politikë, të cilët në çdo rrethanë historike shquhen si lakmiqarë pushteti. Këta të fundit nuk patën ide, vizion, platformë dhe as kauze, gjakimi për pushtet nisi të kontrabandojë mjetin me qëllimin dhe anasjelltas. Hyrja kuturu në fushën institucionale u karakterizuan me mënjanimin e tyre në vendimmarrje. Parazitizmi shqiptar ngriti fole në të gjitha institucionet, duke i lënë terren të hapur palës maqedonase të bënte ç’të donte me fatin e shqiptarëve. Tashmë së fundmi, grupi lakmiqar i pushtetit tërësisht i papushtetshëm, madje i kapur fort prej zinxhirëve të legjitimitetit përmes krizës u pajtuan me pozicionet inferiore në qeverisje. Në këto kushte ata kanë marrë rolin e spektatorit, duke soditur sesi pala maqedonase zhvillon lojërat e persekursionit modern ndaj shqiptarëve. Pushteti maqedonas, teorikisht flet me gojën e grupit amator shqiptar se Marrëveshja e Ohrit po finalizohet, ndërsa praktikisht e përdhunon atë marrëveshje, duke e flakur në rrugë. Sot e gjithë ditën, shqiptarët janë pre e amatorizmit politik, i lakmisë së një grupi tribalist të pushtetit pa pushtet, janë peng i përrallave me moral antikiteti të elitës maqedonase që prodhon kriza. Por, kjo është vetëm njëra anë, sepse ky shtet është vatër krizash qysh me konceptin e gabuar të ndërtimit të pushtetit. Në këtë sens, elitat maqedonase po bëhen çdo ditë dhe më shumë agresive ndaj vetë shtetit.
IV - Në rast të një dështimi të mundshëm të projektit të gabuar, pesha e përgjegjësisë bie mbi vetë politikën e gabuar maqedonase. Përtej këtij vlerësimi, agresori i vetëm kanosës i shtetit janë po vetë elitarët maqedonase. Tashmë nuk ka asnjë kuptim dhe vlerë kur agresori merr rolin e viktimës. Teoria meskine në thelb qesharake maqedonase se shqiptarët qenkan “delja e zezë” po shpërfillet çdo ditë e më shumë nga të gjithë faktorët me peshë ndërkombëtare. Tendencat e përmotshme të palës maqedonase për t’u viktimizuar përmes fajësimit kolektiv të shqiptarëve, po bjerret ndjeshëm. Arsyet janë të shumta, më kryesorja është se maqedonasit vazhdojnë të mbeten në fazën fillestare të akuzës. Shqiptarët në të gjitha etapat kanë qenë viktima të pafajshme të një sistemi represiv, përçmues dhe dhunues, por që pala maqedonase i kategorizon si eksponentë agresivë thjeshtë dhe vetëm për t’i shpëtuar ndëshkimit demokratik. Ende sot e kësaj dite, elitat maqedonase mëkatet e tyre ia mveshin shqiptarëve. Por, ata bëjnë një gabim elementar: e ndërtojnë tezën e viktimës pa i fshehur gjurmët e veta agresive dhe rrënuese. Huliganizmi maqedonas ndaj banorëve shqiptarë të lagjes Nerez të Shkupit i vendos kapakun këtij fakti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›