E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i PS si llastik të mbathurash…

Agim Xhafka 

Mbase mund të vendosnim një titull tjetër, me fjalë më të sojme, por nga që na kujtohet Rama me togfjalëshin: ”Brekët e Violetës” menduam që mund t’i përdorim dhe ne.
Veçse këtë herë për të rrëfyer se ç’funksion ka statuti i PS-së për anëtarësinë e thjeshtë, ç’funksion për ata ...që mendojnë ndryshe nga AI dhe ç’rol për zotin Rama e për shpurën e tij jargavitëse.
Në Kongresin e Jashtëzakonshëm gjërat rrodhën më zakonshëm se kurdo. Madje, me një kollajllëk të tillë saqë Edi qëndronte në sallë vetëm kur flisnin ata që ua kishte bërë ky fjalimin e ia mbathte jashtë sa herë flisnin Blushi-Malaj end Co. Pra një takim si për qokë, ku delegatët kishin bërë tërë atë rrugë vetëm e vetëm që t’i gjendeshin kapos së tyre në sikletin që e kishte pllakosur. Refreni: ”Për të mira mbas sodit!)
Shkurt, u harxhuan ca orë që Edvini të vinte në vend “Fitorjen e Humbjes së tij”.
Dhe siç pritej, takimi u mbyll me orientimin se statuti vepron atëherë kur do Rama, vepron ashtu siç do Rama dhe si një copë llastiku hapet e mbyllet nëpër gishtat e kryetarit në detyrë, të kryetarit në zgjedhje, në funksion a i përjetshëm.
Fjala e Edit atje shpërtheu si një mal gërmash plot inat e mllef ngjizur rreth fjalës MANIPULIM. E vendimi doli siç pritej, që nuk njohim zgjedhjet se s’na pëlqen rezultati, bojkotojmë parlamentin se nuk fituam dhe në rrugë për ditë të mira nesër e paskëtaj.
Qesharaku Rama tashmë në PS është një mashtrues që mbrohet p.sh. nga Majko. Ky, që gjithë jetën ngeli Pandush, e gradoi me pesë yje si kryetar. Tha që do votojë për të e kështu si ai në kor kënduan Dokle, Dade, Ruçi, Meksi… I gjithë Azili Komunist Punist. Tërë këta me leje ndërtimi ndër duar po përgatisin PS-në të shkojë nga dështimi në dështim të sigurt.
Vetëm Blushi arriti të artikulojë bindshëm e me shumë klas arsyet e humbjes, rrugët e daljes dhe dritën në fund të tunelit. Ai u shfaq nja 100 herë më i mençur se Rama, 100 herë më artikulues dhe në fund, ngaqë mbeti brilant, rezultoi dhe më i gjatë në trup se kryetari në detyrë, ose i nisuri për t’u zgjedhur, ose palokryetari i nesërm i PS-së.
Partia Socialiste tregoi ashiqare se statutin e ka tamam si llastik brekësh. Ndërsa shkruajnë në të se po mos fitove zgjedhjet duhet t’ja mbathësh nga zyra, më pas thonë se humbëm, por ama fituam!!! Në krahasim me 2005 kishim kaq vota më shumë, pra ishim kaq më mirë se Nano, se na vodhën këtu e aty… Shkurt marrëzira majkojane, ose dokliste, apo ruçiste.
Ka dy ditë qëkur Rama kapërceu statutin, kreu shkelje me vetëdije. Pra, ai është një njeri në kërkim se ka nëpërkëmbur ligjin. Del dhe flet përditë se do të bëjë këtë dhe atë. Hiçgjë ka në vijë. Shansi iu dha e tani nuk e ka më atë. Tani sa herë do flasë do nxisë të qeshura se askush nuk e merr më seriozisht. Dhe Ndre Legisi bën gallatë tani me të: ”Çfarë karagjozi është”, thotë ai.
Nga krimi statutor i Edit kanë kaluar pak ditë. Nesër, pasnesër, më shumë e më shumë njerëz do njihen me sjelljen e tij si të një hajduti xhepash. Nga ata që bredhin autobusëve. Nuk ka njeri me mend në kokë që t’ia falë fajin e kryer. Madje, tashmë ai s’do ketë probleme vetëm me të tijtë në PS, por do të jetë në konflikt me krejt shoqërinë.
Askush nuk do të pohojë gojëplot se Rama u soll mirë me statutin. Sado që të jetë mik, shok apo i blerë prej tij. Të gjithë, aq më shumë media, e dashura e tij e deridjeshme, do të nxjerrë açik veprimet penale ndaj statutit.
Asgjë e thënë deri tani nuk lejon që ai të bëjë vetëgjyqësi elektorale. Kështu quhet me plot gojën ajo që shkruhet në Rezolutën e Kongresit. Populli votoi, institucionet e caktuara me ligj deri tani thuajse raportojnë për pozivitet, ndërkohë Edit i është mbushur mendja se rezulton: Humbësi, por i Fituar”. Sipas tij është vjedhur, ndaj nuk njeh asgjë, madje as Shqipërinë po të mos ecin gjërat siç ai i sheh në ëndrra.
E prapa i rri ajo pjesë e partisë që ndërton pallate, që prish lulishte, që zapton prona e që tërheq llastikun sa herë ua kërkon kryetari i djeshëm, i sotëm, i nesërm, i përhershëm.
Statuti i PS-së u shkrua nga Edi, për të ndihmuar Edin dhe pa u ndryshuar fare nga Edi u shkel po nga Edi.
Një rrokopujë e madhe, një diktat i hapur, por dhe një krim i madh, shoklënës.
Dokumenti që siguron bashkëjetesën mes anëtarëve u shkel nga roja që i ishte besuar ta mbronte. Tani duhet patjetër që të rritet siguria, duke u caktuar ekipe monitoruesish. Se me këtë kryetar ka mundësi që nesër të vidhet çdo gjë. Mbase ai nuk njeh nesër p.sh. anëtarësinë, mbase nuk njeh as Ruçin, as Majkon. (M‘u thaftë gjuha!) Pra do të çmendet Partia? Apo do shuhet anëtarësia? Jo, duhet kërkuar Edvin keqbërësi e duhet dorëzuar në gjykatë. Kaq mjafton. Ai e pranoi vetë se këtë nen e ka gatuar ai, e pranoi se në kushte normale nuk duhej të kandidonte. Po ne a jemi në normalitet? A jetojmë duke punuar, duke qeshur, duke pushuar, duke gëzuar, duke u martuar, duke bërë fëmijë, duke…? A jemi të qetë e të mirëkuptuar mes njëri-tjetrit? Nuk po dëgjojmë sherre e luftë mes anëtarëve të këtij vendi që quhet Shqipëri! Pra në këto kushte Edi ka bërë gabim. Ka trashur zullumin e ka zgjatur llastikun e statutit. Kërkojeni ose ta kërkojmë të gjithë këtë përvetësues , shkelës ligji e ta dorëzojmë. Kaq. Më pas jeta jonë me më pak dështakë është e do jetë më e bukur, më e rregullt, më e sigurt! Kaq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›