E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgjeve shqiptare u shtohen çdo vit 800 të dënuar

Studimi më i fundit zbardh në shifra të dënuarit sipas veprave penale që kanë kryer

Laureta Rryçi

Tiranë - Burgjeve shqiptare u shtohen çdo vit 800 të dënuar. Studimi më i fundit e ka nxjerrë këtë shifër duke u bazuar në të gjitha vendimet që japin gjatë një viti gjykatat e shkallës së parë në vend. Pjesa më e madhe e të dënuarve janë meshkuj, ndërsa pjesa tjetër i përket seksit femër. Pas krahasimit të shifrave me vitet e kaluara specialistët kanë evidentuar se numri i të dënuarave femra sa vjen dhe rritet. Vitet e fundit një numër i konsiderueshëm femrash kanë kryer vepra të ndryshme penale. Ky numër i të dënuarve brenda një viti është shkaku kryesor i mbipopullimit të shumë burgjeve në vend.
Të dënuarit
Gjatë vitit 2008 janë dënuar gjithsej 8105 persona, ku 7602 janë dënuar sipas Kodit Penal dhe 503 të dënuar sipas Kodit Penal Ushtarak. Nga 8833 të gjykuar gjithsej, 7602, ose 86 për qind e tyre janë të dënuar, 353, ose 3.98 për qind janë persona që janë deklaruar të pafajshëm dhe për 878, ose 9.9 për qind e tyre është pushuar gjykimi i çështjes. Nga 7602 të dënuar gjithsej, për krime janë dënuar 5349, ose 70.36 për qind, kurse për kundërvajtje penale 2253, ose 29.6 për qind. Janë deklaruar të pafajshëm 353 persona, ose 3.98 për qind e numrit total të të gjykuarve, ku 247 për krime dhe 106 për kundërvajtje penale.
Është pushuar gjykimi për 878, ose për rreth 9.9 për qind e numrit total të të gjykuarve, nga të cilët 192 janë gjykuar për krime dhe 686 për kundërvajtje penale. Nga të dënuarit, 557, ose 7.3 për qind janë të dënuara femra, ku 361 janë dënuar për krime dhe 196 për kundërvajtje. Të dënuar të mitur janë 407, ose 5.3 për qind e të dënuarve, ku 356 janë dënuar për krime dhe 51 të dënuar për kundërvajtje penale.
Statistikat
Duke analizuar të dënuarit sipas grup-veprave penale për krime arrihet në përfundimin se numrin më të madh të të dënuarve e përbëjnë ata që kanë konsumuar veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, që përbëjnë 59.97 për qind të të gjithë të dënuarve për krime. Të dënuarit për krime kundër autoritetit të shtetit, rendit dhe sigurisë publike përbëjnë 31.3 për qind, e kështu me radhë renditen të dënuarit për krime kundër jetës me 4.67 për qind, kundër drejtësisë me 3.7 për qind, kundër moralit, dinjitetit dhe familjes etj. Po të analizohet problemi në fjalë në lidhje me intensitetin e të dënuarve lidhur me numrin e veprave penale që përmban grupimi i mësipërm, d.m.th. mesataren e të dënuarve për çdo krim, situata e mësipërme krijon një panoramë të tillë ku të dënuarit për krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike janë në vendin e parë me 51 të dënuar për çdo krim, të dënuarit për krime kundër autoritetit të shtetit, krime kundër rendit dhe sigurisë publike me 20 të dënuar për çdo krim, të dënuar për krime kundër jetës me 13 të dënuar për çdo krim. Gjithashtu, numri i të dënuarve për krime kundër shtetit dhe krimet kundër moralit, dinjitetit dhe familjes është i njëjtë me 6 të dënuar për çdo krim.

Për grupime të tjera të veprave penale kemi:

Për krimet kundër drejtësisë, 8 të dënuar për krim; për krimet seksuale, 4 të dënuar për krim; për krimet kundër lirisë së personit, 3 të dënuar për çdo krim. Po të analizojmë problemin e mësipërm në pikëpamje të grupimit për masë dënimi për vitin
2008 rezulton se të dënuar me gjobë (krime dhe kundërvajtje) janë 2897, ose 38.1 për qind e të gjithë të dënuarve në krahasim me 1847, ose 35.2 për qind që kishim në vitin 2007. Të dënuar deri në 2 vjet burg janë 3650, ose 48 për qind të dënuar në krahasim me 2980, ose 52.4 për qind që kishim në vitin 2007, në intervalin 2 – 5 vjet janë 512, ose 6.7 për qind e të gjithë të dënuarve në krahasim me 430, ose 7.9 për qind të dënuar që kishim në vitin 2007, në intervalin 5 – 10 vjet janë 320, ose 4.2 për qind të dënuar në krahasim me 246 të dënuar ose 3.7 për qind, që kishim në vitin 2007, në intervalin 10 – 25 vjet janë 210, ose 2.7 për qind e të gjithë të dënuarve në krahasim me 170 të dënuar, ose 3.3 për qind që kishim në vitin 2007 dhe me burgim të përjetshëm 13, ose pothuajse 0.02 për qind e të gjithë të dënuarve në krahasim me 5 ose 0.3 për qind të dënuar që kishim në vitin 2007. Pra në krahasim me vitin 2007, në vitin 2008 vihet re një zmadhim i numrit të të dënuarve me gjobë me 1050 të dënuar, rritje të numrit të të dënuarve me masë dënimi deri 2 vjet burg me
607 të dënuar, rritje të numrit të dënuarve me masë dënimi 2 deri 5 vjet prej 80 të dënuar, rritje të numrit të të dënuarve me masë dënimi 5 - 10 vjet burg prej 74 të dënuar, me masë dënimi 10 - 25
vjet burg me 40 të dënuar më shumë se një vit më parë dhe rritje të ndjeshme e numrit të dënuarve prej 9 të dënuar me masën e dënimit burgim i përjetshëm në krahasim me vitin 2007. Në këtë rritje të numrit të masave të dënimit (si numër jo si sanksion), duhet të kemi parasysh se numri i të dënuarve për këtë vit ka qenë 1924 të dënuar më shumë se një vit më parë.

Të dënuarit në shifra sipas seksit

Duke evidentuar të dënuarit sipas seksit arrihet në përfundimin se nga 7602 të dënuar, 557 prej tyre janë femra. Nga këta 361 janë dënuar për krime dhe 197 për kundërvajtje dhe që zënë përafërsisht 7 për qind të të gjithë të dënuarve, krahasuar me vitin 2007 kemi një rënie të vogël të numrit të femrave të dënuara, i cili ka qenë 8 për qind. Duke u nisur nga raporti i numrit të femrave në shoqëri ky numër është i vogël dhe megjithëse kemi një rënie të numrit të të dënuarave femra në krahasim me vitet paraardhëse, 63 të dënuara më pak se në vitin 2005, 24 të dënuara më pak se në vitin 2006 dhe 102 të dënuara më shumë se në vitin 2007, ky fenomen kërkon vëmendje të posaçme. Nga statistikat vihet re se edhe pse numri i të dënuarave femra është në rritje krahasuar me vitet paraardhëse, ky numër është në nivele minimale krahasuar me numrin e të dënuarve meshkuj. Krahasuar me të dënuarit në vitin 2007 janë 1924 të dënuar më shumë, ose e shprehur në përqindje kemi 16.4 për qind të dënuar për krime, kundërvajtje më shumë se vitin 2007, por nëse marrim në konsideratë faktin se numri i çështjeve penale të përfunduara për krime dhe kundërvajtje është i njëjtë me atë të vitit 2007 (ndryshon me një çështje më shumë, 7348), mund të themi se numri i të dënuarve ka pësuar një rritje në 7602 për 7349 çështje penale të përfunduara në vitin 2008, ndërsa numri i çështjeve të përfunduara nga 6268 me 5678 të dënuar në vitin 2007.

Klasifikimi sipas krimeve

Duke e krahasuar me vitin 2007, në vitin 2008, përsa i përket klasifikimit të të dënuarve për krimet e kryera kundër jetës, ky numër ka pësuar një rritje prej 250 të dënuarish. Për krimet e kryera kundër shëndetit, në krahasim me vitin 2007 kemi një rritje me 22 të dënuar më shumë për vitin 2008, po ashtu lidhur me numrin e të dënuarve për krime seksuale kemi një rritje me vetëm 1 të dënuar më shumë, lidhur me krime, kundër lirisë së personit kemi 29 të dënuar më shumë, lidhur me krime kundër moralit familjes dhe dinjitetit kemi 37 të dënuar më shumë. Ndërsa për krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike me 655 të dënuar në krahasim me vitin 2007. Për numrin e të dënuarve për krime kundër autoritetit të shtetit dhe krime kundër rendit dhe
sigurisë publike kemi një rritje prej 296 të dënuar më shumë. Përsa u përket krimeve kundër drejtësisë evidentojmë se ky numër ka pësuar një rritje prej 65 të dënuarish në krahasim me vitin 2007. Gjithashtu kemi rritje të numrit të të dënuarve me 45 të dënuar më shumë për krime të tjera.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›