INSTAT: Niveli i ulët i eksportit ndaj importit ka thelluar deficitit tregtar
Tregtia e jashtme në muajin korrik shënoi rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Më të goditurat ashtu siç po ndodh prej muajsh ishin eksportet e vendit, të cilat ndonëse patën rritje të lehtë krahasuar me një muaj më parë në terma vjetore ata kanë rënë me 12.5 për qind. Sipas shifrave zyrtare të INSTAT në korrik janë eksportuar 9,6 miliardë lekë mallra, 2.7 për qind më shumë se në qershor dhe 12.5 për qind më pak se në korrikun e vitit 2008. Sa u takon importeve në korrik në vend janë futur nga tregjet e huaja rreth 36,8 miliardë lekë mallra ose 2.1 për qind më pak në krahasim me një vit më parë. Raportet e shifrave mes importeve e eksporteve kanë shënuar njëkohësisht edhe thellimin e mëtejshëm të deficitit tregtar të vendit, i cili përkeqësohet me 5 për qind krahasuar me muajin paraardhës. Rënia e shifrave është shoqëruar edhe me ndryshim të origjinës së importeve e destinacionit të eksporteve. Ndonëse Italia e Greqia mbeten partnerët e parë tregtarë të vendit tonë, lista në vijim ka ndryshime. Tashmë ne eksportojmë më shumë në Austri, Gjermani, Maqedoni, Kinë, SHBA, etj, dhe blejmë më shumë mallra nga tregjet e Austrisë, Gjermanisë, Maqedonisë dhe Zvicrës. Ndryshimet e shifrave për grup-mallra të ndryshme kanë qenë të vogla ndërkohë që bie në sy që edhe importi i mallrave me akcizë ka pësuar rënie. Vlera e importit të mallrave të akcizës në korrik është 4,7 miliardë lekëve, ose sa 12.7 për qind e totalit të importeve dhe ku peshën më të madhe e zënë nënproduktet e naftës.
3 Shtator 2009