E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërmarrjet e privatizuara, shtyhet afati për blerjen e truallit

 

Shtyhet afati për blerjen e truallit në ndërmarrjet e privatizuara. Sipas projektvendimit të miratuar dje nga qeveria, të gjitha subjektet të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas gentplanit që i bashkëngjitet dokumentacionit të privatizimit duhet të blejnë këtë truall deri më 30 qershor të 2010-ës. Pra në sajë të këtij projektvendimi, qeveria ka shtyrë afatin për kryerjen e procedurave ligjore të shitjes së trojeve të objekteve apo ndërmarrjeve të privatizuara në vite nga ish AKP-ja. Sipas vendimit të mëparshëm të qeverisë, afati i blerjes së truallit për subjektet që kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje deri më 31 maj të vitit 2008 pati efektet e veta, pasi gjatë periudhës shkurt-maj të 2008-ës pati një rritje të numrit të kërkesave nga subjektet përkatëse. Gjatë kësaj periudhe janë arkëtuar 13.767.598 lekë për 4960 metër katror, pa përfshirë këtu vlerën e qirasë të arkëtuar pranë organeve të pushtetit vendor, ku siç dihet nuk janë paguar që nga momenti i privatizimit të këtyre objekteve apo ndërmarrjeve, si dhe janë në proces rreth 200 kërkesa për blerje trualli. Për këtë arsye qeveria vendosi që të shtyjë afatin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›