E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatë të vrarë në Dagestan

Së paku shtatë persona janë vrarë, si pasojë e një sulmi të ndërmarrë sot në Dagestan, republikë kjo në rajonin e trazuar të Kaukazit Verior, ka njoftuar policia.

Pjesa më e madhe e viktimave besohet se janë punëtorë, të cilët ishin dërguar të riparonin një pirg të telefonisë mobile, rreth 80 km në jug të kryeqytetit të Dagestanit, Makçkala, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme.

Së paku shtatë, apo edhe tetë persona janë vrarë, kur sulmuesit nga dy automjete hapën zjarr në drejtim të tyre, theksoi ky zëdhënës. Disa orë më vonë, policia shkëmbeu zjarr me sulmuesit.

Fillimisht, agjencia e lajmeve Interfax citoi një zyrtar, i cili theksoi se persona të armatosur kanë sulmuar një konvoj të policisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme theksoi se ende është e paqartë se a kanë qenë punëtorët të shoqëruar nga policia, në momentin kur janë sulmuar.

Në kufi me Çeçeninë, në rajonin e Kaukazit Verior me popullatë shumicë myslimane, Dagestani po vuan nga dhuna e përditshme, përfshirë këtu edhe sulmet kundër forcave të sigurisë dhe zyrtarëve, për të cilat sulme fajësohen kryengritësit islamikë.

Megjithatë, organizatat për të drejta të njeriut kanë akuzuar edhe forcat e sigurisë, duke theksuar se dhuna e ushtruar nga këto forca kundër popullatës civile po e ushqen kryengritjen në Dagestan.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›