Hidink: Barcelona-Çelsi, nuk ishte ndeshje e keqe
Tekniku i Çelsit, Gus Hidink, ka reaguar ndaj vlerësimit negativ që iu bë skuadrës së tij në gjysmëfinalen e parë për Champions League me Barcelonën në Kamp Nou. Shumë analistë u shprehën se kjo sfidë e shumëpritur ishte një ndeshje "sterile" dhe kjo për shkak të futbollit negativ, që ofruan blutë e Londrës. Hidink nuk pajtohet me këtë mendim, duke iu referuar lojës së skuadrës së tij. "E kam parë të regjistruar ndeshjen dhe disa gjëra nuk ishin aq të këqija, siç ishin mendimet emocionale të shprehura pas ndeshjes. Kishte dyluftime tërheqëse, si ai midis Maludas dhe Dani Alevsh. Ato ishin normale dhe nuk i pashë si pjesë e veprimeve teatrale. Duele të tilla kishte dhe midis Aleks e Henris dhe nuk i shikoje si të qëllimshme për të dëmtuar njëri-tjetrin. Kjo ishte një ndeshje dyluftimesh, me të gjitha rregullat që ofron futbolli", pohoi Hidink. Tekniku holandez shtoi: "Natyrisht lojën e dominoi Barcelona, por ne luajtëm shumë në planin e mbrojtjes".