E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e tërmetit i gjen bora në çadrat e ushtrisë

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Ftohja e motit në të gjithë vendin, sidomos në zonat malore, ka vënë në vështirësi të mëdha familjet e mbetura pa strehë në rrethin e Bulqizës. Të paktën 30 familje në komunat Ostren e Zerqan e kanë kaluar natën e të martës, nën reshjet e dëborës dhe të ftohtit të pazakontë për stinën që kalojmë. Flamur Bici, kryefamiljari i 11 pjesëtarëve, tha se kurrë në jetën e tij nuk kishte kaluar momente më të vështira së bashku me fëmijët. "Në mbrëmje filluan reshjet e dëborës dhe i ftohti. Temperaturat ranë në zero gradë dhe pata shumë probleme për sigurimin e fëmijëve. Fatkeqësisht nuk kam as njerëz të tjerë afër, për të strehuar të paktën fëmijët e vegjël. Rrobat që kisha në shtëpinë e shembur nuk më mjaftojnë për të mbajtur në kushte normale, në këtë të ftohtë, gjithë pjesëtarët e familjes. Ndryshe nga familjet e tjera për familjen time nuk u gjet dhe një çadër. Jam detyruar ta kaloj natën në një mjedis të sajuar me plastmasë. Nëse moti do të jetë i tillë për familjen time do të ketë shumë probleme në ditët që vijnë. Fëmijët nuk mund të rezistojnë në këto temperatura", tha Bici. Tre ditë më parë ai i është drejtuar me një letër të gjitha autoriteteve të vendit, duke kërkuar nga ata ndihmë, për të strehuar fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Të njëjtin shqetësim paraqiti edhe Zenel Hoxha, banor i fshati Strikçan, në komunën e Zerqanit. Ai tha se çadra verore që kam marrë në komunë nuk mban as reshjet dhe as të ftohtin. Reshjet që nisën dhe i ftohti na kanë vënë në vështirësi të mëdha. "Nuk dimë ç'rrugë të ndjekim. Në komunë na thonë se nuk kanë asnjë mundësi për t'na ndihmuar, ndërkohë premtimi për t'na dhënë lekë për ndërtimin e shtëpive të reja nuk po mbahet nga strukturat shtetërore", shprehet babai i pesë fëmijëve të mbetur në mëshirë të fatit. Pak ditë më parë qeveria akordoi një fond për familjet e dëmtuara nga tërmeti 7.2 ballësh i 6 shtatorit të këtij viti. Por, deri në ndarjen e tij në terren duket se do të kalojë një kohë e konsiderueshme, ndërsa banorët po përballen me borën në mes të tetorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›