E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Do rishikohen çmimet e trojeve”

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Berisha kërkoi dje në mble-dhjen e qeverisë rishikimin e çmimeve të trojeve përmes një hetimi nga organet tatimore. Duke sjellë përpara ministrave një shembull, ku në një zonë të Gjirokastrës një pronar do të shiste një tokë me çmimin 2.5 milionë lekë dhe nga këto 2 milionë duhet t’ia jepte shtetit për shkak të vendimit të Qeverisë, kreu i ekzekutivit tha se harta e çmimeve do të pësojë ndryshime. “Ja babëzia dhe ndikimi që kanë faktorë të tjerë, që caktojnë çmime sa më të larta që nuk janë reale, pasi qytetari tregon se ai do të merrte 10-fishin në rast se do të përdoreshin në shitje çmimet e përcaktuara nga shteti dhe se duhet ta shiste atë 20 milionë lekë, por, faktikisht, unë mezi po e shes 2.5 milionë lekë, pasi kaq e përballon tregu. Ndaj zoti ministër, do të sillet urgjentisht harta e çmimeve dhe zoti ministër i Financave, agjentët tatimorë në mbarë Shqipërinë do të ndërmarrin hetimin e çmimeve të tregut dhe harta e çmimeve do të dalë mbi bazën e hetimit serioz dhe me përgjegjësi të plotë”, u shpreh Berisha. Sipas tij: “Kjo është ajo që bën burokracia. Unë ju garantoj se për fat jo të mirë, kemi ende rrethe që toka nuk shitet as edhe një euro. Le të shkojë kushdo të gjejë se sa është tregu i tokës në një seri rrethesh dhe po të shohë hartat tona, ato janë stratosferike”. Kreu i ekzekutivit u shpreh se çmimet e tregut nuk mund të bëhen pengesë për investimet. “Ky do të jetë një hetim periodik. Do të vendoset një rregull që organi tatimor do të bëjë hetimin e tyre dhe mbi këtë bazë, do të përcaktohet harta, pasi ajo lëviz, sot çmimet mund të jenë më të ulëta, nesër rriten dhe ne do t’i rrisim. Ne duhet të kemi një mekanizëm për çmimin e tokës të përafërt me bursën, që nuk e kemi ende”, vijoi më tej Berisha. Në mbledhjen e Qeverisë kreu i ekzekutivit bëri të ditur gjithashtu se javën e ardhshme do të miratohet ligji që mbron investitorët, të cilët kanë blerë tokën me dokumentacion në rregullt.

Kompetencat e Pollos
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u miratuan tre projektvendime për marrjen e disa kompetencave nga ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin, të cilat më parë i ka pasur zv/kryeministri. Kështu Pollo do të drejtojë Komisionin Qendror të Regjistrimit, Autoritetin Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Komisionin Qeveritar të Tokës. “Të gjitha detyrat të cilat më parë ishin përgjegjësi e zv/kryeministrit, i ngarkohen ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin. Këto ndryshime bëhen për të lejuar vijueshmërinë e punës së kryer deri më tani nga i njëjti grup pune, veprimtaria e të cilit kryesohej nga zv/kryeministri”, thuhet në relacionet e vendimeve të miratuara dje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›