Shtëpia botuese "ONUFRI" së shpejti nxjerr në treg 5 vëllime të tjera të Ismail Kadaresë

Shtëpia botuese “Onufri” synon që brenda dy muajve të ardhshëm të nxjerrë në treg edhe 5 vëllimet e fundit të veprave të shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare, duke plotësuar kështu botimin e plotë të 20 veprave të tij. Burime nga kjo shtëpi botuese bënë të ditur se një risi e këtyre botimeve do të jetë dhe fakti se do të botohen në shqip dhe vëllime, të cilat nuk janë botuar asnjëherë më parë nga shtëpi botuese shqiptare, por vetëm nga ato të huaja. Deri në këto momente shtëpia botuese “Onufri” ka arritur të nxjerrë në qarkullim plot 15 vëllime të veprave të Ismail Kadares. Për botimin e tyre, "Onufri" është nderuar dhe me çmimin e Bibliofilisë “Lumo Skëndo” në vitin 2008. jë tjetër kolanë e rëndësishme, e cila do të vazhdojë të botohet prej "Onufrit", është edhe ajo e Shekspirit, e cila prej disa vitesh është pjesë e pandarë e botimeve të kësaj shtëpie botuese. Në të njëjtën kohë “Onufri” do të sjellë në treg për lexuesin dhe libra të autorëve të njohur të letërsisë shqiptare, europiane apo dhe të asaj amerikane. Shtëpia botuese “Onufri” është krijuar që në vitin 1992 dhe deri më sot ajo ka qënë mjaft aktive në tregun e librave, duke sjellë për lexuesit shqiptar qindra tituj librash.
...