Në shtator fillojnë 20 projekte të reja për rikonstruksionin e rrugëve në Tiranë

Vëmendja e Bashkisë së Tiranës është përqendruar në rikonstruksionin e rrugëve, në një pjesë të të cilave ka filluar puna me sistemime, kanalizime dhe asfaltime. Burime nga Drejtoria e Shërbimit të Menaxhimit të Infrastrukturës pranë Bashkisë bënë të ditur se "me fillimin e muajit shtator do të fillojnë nga zbatimi në Tiranë edhe 20 projekte të reja, të cilat do të fokusohen kryesisht në sistemime të rrugëve, në asfaltime dhe rregullim kanalizimesh në të 11 njësitë bashkiake". Paralelisht me këtë projekte, do të vijojë edhe projekti i emërtimit dhe numërimit të rrugëve, çka do të bëjë më të lehtë sistemimim e adresave në Tiranë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se një nga projektet më të rëndësishme është edhe ndërtimi i kanalit të Shkozës, i cili shpesh herë ka nxjerrë probleme në kohën e reshjeve të mëdha të shiut, duke përmbytur një pjesë të mirë të Tiranës. Përveç rregullimit të infrastrukturës së rrugëve, edhe hapësirat publike do të jenë në vëmendje për lulishte dhe parqe me lojëra për fëmijë në të gjitha blloqet e banimit. Fillimi i 20 projekteve të reja në pjesën më të madhe në infrastrukturë, do t’i kushtojnë buxhetit të Bashkisë së Tiranës rreth 2 miliardë lekë.
...