Edhe 9 të dyshuar me A H1N1 në Shqipëri

Numri zyrtar i rasteve të prekura nga virusi i gripit A (H1N1) në vendin tonë është 29, ndërkohë që priten përgjigjet e analizave edhe për 9 raste të tjera të dyshuara. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, përgjigjet e mostrave të dërguara në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht (Rumani), priten të mbërrijnë javën e ardhshme. Rastet e konfirmuara të prekura nga virusi A (H1N1) janë kryesisht të formës së lehtë dhe të mesme, por ndër to ka pasur dhe forma të rënda të shfaqjes së virusit. Personat e prekur, një pjesë e të cilëve të shëruar, janë trajtuar dhe po ndiqen në vazhdimësi nga mjekët specialistë në Tiranë dhe rrethe, ku janë regjistruar rastet. Por ISHP, në buletinin e saj konfirmon se nuk ka vdekje nga ky lloj virusi deri më tani në vend. Ndër rastet e dyshuara ka qënë dhe një pacient 45 vjeçar, i cili ka shfaqur shenja të gripit të zakonshëm, të tipit A. ISHP konfirmon se pacienti ka rezultuar të jetë i prekur me virusin e gripit A, nga analizat e kryera në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, ndërsa mostrat janë dërguar në Laboratorin e Referencës në Rumani për t’u analizuar për të përcaktuar nëntipin. "Pacienti ka ardhur rreth 10 ditë më parë nga Italia dhe vuan nga një insuficiencë multiorganike, probleme të mëlçisë, por përballja me problemet respiratore me ardhjen në Shqipëri kanë rënduar gjendjen e tij shëndetësore", tha Alban Hatibi, shef i reanimacionit në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive "Shefqet Ndroqi". Sipas tij, pacienti i cili ndodhet në reanimacion, mbahet në frymëmarrje artificiale, ndërsa trajtimi medikamentoz me Tamiflu ka nisur rreth 2-3 ditë më parë, krahas medikamenteve të tjera. Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar deri tani 498 mostra të marra në të gjithë vendin. Numri më i madh i mostrave është marrë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, 250 të tilla, 59 mostra janë marrë në Spitalin Pediatrik në QSUT, 39 nga Poliklinikat në Tiranë, etj. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25 - 44 vjeç. Ndërkohë, vihet re një numër më i vogël mostrash të marra në moshën pediatrike, moshë mjaft e rëndësishme, duke patur parasysh që dhe numri më i lartë i infeksioneve respiratore paraqitet në këtë grup moshe. Çdo ditë në ISHP përpunohen mostra të rasteve të dyshuara nga Tirana dhe rrethet e tjera të vendit. Në Laboratorin e Virologjisë në ISHP, pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit, analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Si pasojë e rikonstruksionit të laboratorit të virologjisë në vendin tonë, konfirmimi për llojin e virusit, në lidhje me origjinën nga derri dhe për nëntipin, kryhet pranë Laboratorit të Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, ku dërgohen mostrat e mundshme, por edhe të dyshuara.
Historia e rasteve të prekura
Nëntë rastet e reja të konfirmuara nga Laboratori i Referencës dje në mbrëmje, sipas epidemiologut Dritan Ulqinaku, janë të moshës mbi 15 vjeç, si dhe të grupmoshave të rritura. Për rastet e tjera të konfirmuara, sipas buletinit të ISHP-së, rezulton se janë të grup moshave 15-24 vjeç, 10 të tjerë 25-44 vjeç dhe vetëm 2 raste janë të grupmoshës 45-59 vjeç. Nga të dhënat e buletinit nr. 10, vihet re se shumica e rasteve i përkasin moshave aktive.
Për rastet e konfirmuara, 3 prej tyre janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal - Durrës), të cilët tashmë janë larguar nga vendi ynë. Gjashtë raste janë të lidhura me udhëtimin jashtë vendit, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa të dhënat tregojnë se për 11 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit.
Të dhënat nga ISHP tregojnë se rastet janë konstatuar kryesisht në Tiranë, 5 raste në Durrës (prej të cilëve tre marinarë të huaj), 1 rast në Sarandë, 2 në Gjirokastër dhe 1 në Devoll.
Rasti i parë i prekur me virusin A (H1N1) në vendin tonë u konfirmua në 20 korrik, pas mbërritjes së rezultateve të analizave nga Laboratori i Referencës në Rumani. I prekuri ishte një student 20 vjeçar nga Gjirokastra, i cili ishte paraqitur në Spitalin Infektiv pranë QSUT me shenja të gripit të zakonshëm. Ky rast, sipas specialistëve, nuk kishte lidhje epidemiologjike me vendet e prekura, apo kontakte me të sëmurë që mund të kenë ardhur nga jashtë.
Në 4 raste është përdorur medikamenti Tamiflu, gjë që ka përmirësuar shenjat e sëmundjes edhe kur është përdorur menjëherë në diten e dytë, apo të tretë të fillimit të ketyre shenjave. Tamiflu është përdorur në ato rate kur ka patur kompromentim të sistemit respirator si trakebronkit, bronkiti difuz bilateral dhe bronkopneumoni intersticiale.
Dy raste, që kanë patur si sëmundje shoqëruese diabetin, kanë paraqitur forma të rënda të sëmundjes si bronkopneumoni intersticiale dhe insuficience respiratore. Në një rast me bronkopneumoni intersticiale, Tamiflu është përdorur për 7 ditë, duke sjellë përmirësim të dukshëm të shenjave klinike të sëmundjes. Ndërsa, në 2 raste të tjera Tamiflu është përdorur për 5 ditë.
Sipas buletinit të ISHP-së, antibiotikoterapia është përdorur në 12 raste, kryesisht me ato me kompromentim të sistemit respirator, si edhe në disa raste me rinofaringit.
ISHP sqaron se raste të konfirmuara janë të gjitha rastet, të cilat kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit pandemik A (H1N1) në Laboratorin e Referencës për Europën Juglindore në Bukuresht, Rumani. Raste të mundshme janë të gjitha rastet, që kanë plotësuar përkufizimin e rastit dhe janë konfirmuar të infektuar me virusin e gripit A në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP-së,Tiranë. Ndërsa, raste të dyshimta janë të gjitha rastet, që plotësojnë përkufizimin e rastit.
...